LUSHNJE- Një aksident është regjistruar mbrëmjen e sotem në Lushnje. Mësohet se një 17-vjeçar teksa drejtonte një motoçikletë të përshtatur me karroceri për transport ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.
Më tej raportohet se dy persona e kanë parë ngjarjen dhe kanë ndihmuar të riun i cili ishte duke u mbytur nga uji i kanalit. Pas njoftimit të policisë dhe ambulancës i plagosuri u dërgua në spitalin e Lushnjes në gjendje të rëndë. 17-vjeçari i quajtur Mateo është banor në Savër dhe kthehej në shtëpi.
Policia në vendngjarje po kryen procedurat e nevojshme për zbardhjen e shkaqeve të daljes nga rruga dhe plagosjes së të riut. Paraprakisht dyshohet se i dëmtuari ka humbur kontrollin mbi motoçikletën dhe ka përfunduar në kanalin përbri rrugës i cili është i mbushur me ujë.