Çdo ditë në rrugët e vendit tonë ndodhin dhjetëra aksidente automobilistike, të shkaktuara nga faktorë të ndryshëm, që variojnë nga mungesa e sigurisë rrugore deri te papërgjegjshmëria e drejtuesve të automjeteve për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
Sipas një raporti paraprak të publikuar nga INSTAT, gjatë periudhës janar-mars të këtij viti janë regjistruar 301 aksidente rrugore, të cilat kanë sjellë për pasojë 52 humbje jete. Vetëm në muajin mars janë shënuar 88 aksidente, ku si pasojë janë lënduar ose kanë humbur jetën 128 persona.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024, numri i aksidenteve ka rënë me 20.2%, që përkthehet në 76 aksidente më pak. Megjithatë, niveli i viktimave mbetet shqetësues.
Këto statistika nënvizojnë nevojën urgjente për ndërgjegjësim më të madh nga ana e drejtuesve të mjeteve, me qëllim respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor dhe rritjen e sigurisë në rrugë.