Një qytetare ka dërguar një video dhe rrëfim në redaksinë tonë, ku tregon për një “zbulim” të çuditshëm në avllinë e shtëpisë së saj: disa vezë të mëdha, të vendosura me kujdes në cepat e murit rrethues, të mbështetura me gurë që të mos lëviznin.
Sipas qytetares, vendi ku u gjetën vezët është i paarritshëm për pula apo kafshë të tjera shtëpiake, duke përjashtuar mundësinë që ato të kenë rënë aty natyrshëm. “Nuk kishte si të ndodhte kjo vetvetiu. Aty mund t’i vendoste vetëm një njeri. Mendojmë se mund të jetë ndonjë lloj magjie”, tha ajo.
Familja vendosi të heqë vezët dhe t’i hedhë në lumë, por aty ndodhi diçka edhe më shqetësuese: “Kur e hodhëm në lumë, veza nuk u fundos për gati 50 metra. U dukej sikur nuk ishte vezë fare, si e zbrazët por gjithsesi nuk thyhej dhe nuk zhytej. Ishte e tmerrshme.”
Ajo shton se u ndje shumë e frikësuar nga përvoja dhe se nuk arrin të gjejë një shpjegim logjik për atë që ndodhi.
Deri më tani, nuk dihet se kush mund t’i ketë vendosur vezët në mur. Disa banorë të zonës nuk përjashtojnë mundësinë e ndonjë praktike okulte apo të ashtuquajturën “magji e zezë”, ndërsa të tjerë mendojnë se mund të jetë thjesht një shaka e rëndë apo një formë kërcënimi.