Një ngjarje e pazakontë dhe tepër shqetësuese është raportuar së fundmi nga fshati Zogaj të Shkodrës, ku një fëmijë vetëm 8-vjeç është filmuar duke lundruar mbi ujë teksa qëndron në një divan, të cilin e kishte përshtatur si mjet lundrimi.
Në pamjet e dërguara nga një qytetar, djali shihet teksa përdor një dërrasë për të orientuar drejtimin, ndërkohë që rrjedha e ujit e tërheq pa kontroll.
“Me ken shkodran tana i ban! Fmija 8 vjec në zogaj tesh 2 dit,” shkruan qytetari që ka dërguar pamjet.
Edhe pse situata mund të duket komike në pamje të parë, ajo paraqet rrezik të madh për jetën e fëmijës. Në çdo moment, divani mund të përmbysej, duke e futur të miturin në ujë dhe duke e ekspozuar ndaj pasojave të rënda.
Në video, fëmija duket i qetë, duke mos marrë parasysh rrezikun që po i kanoset. Kjo ngjarje ngre sërish shqetësimin për mungesën e mbikëqyrjes prindërore dhe nevojën për ndërgjegjësim më të madh mbi sigurinë e fëmijëve, veçanërisht kur janë pa praninë e të rriturve.