Gazetari shqiptar në Suedi, Ervin Dushi, ka zbuluar të gjitha detajet në lidhje me rrëmbimin dhe keqtrajtimin e një 15-vjeçari shqiptar në Suedi.
Sipas tij, autorët e kësaj ngjarje tashmë janë ndaluar nga policia dhe janë katër të rinj me origjinë somaleze dhe një shqiptar nga Prizreni, të cilët akuzohen se kanë rrëmbyer dhe dhunuar 15-vjeçarin nga Shkodra.
Gazetari ka bërë të mundur edhe publikimin e fotove që tregojnë shenjat e dhunës në trupin e të miturit.
“Ka qenë një lajm i trishtë që na ka shokuar të gjithë – komunitetin shqiptar në Suedi dhe jo vetëm. Kanë qenë të shumtë qytetarët që janë angazhuar në kërkim të 15-vjeçarit nga Shkodra. Djali është gjetur në një zonë të thellë me pyje. Arsyeja e vërtetë pse ndodhi kjo ende nuk dihet, por dihet që janë 4 të rinj somalezë, të moshës 19 deri në 21 vjeç, të implikuar në këtë ngjarje, së bashku me një shqiptar nga Prizreni. Ky i fundit dyshohet se ka ushtruar dhunën më të madhe ndaj 15-vjeçarit të rrëmbyer”, tha gazetari Dushi për “Euronews”.
“Ka qenë edhe një vajzë rreth 16 vjeçe që është përdorur si ‘karrem’ nga autorët për ta afruar djalin. Ai ka qenë jashtë në orën 21:00 kur është tërhequr për të folur me djalin nga Prizreni, çka krijoi mundësinë që të rrëmbehej. Fillimisht ka rezistuar, ndërsa vajzën që ndodhej me të, autorët e kanë shtyrë, dhe më pas e kanë futur të riun me forcë në makinë ndërsa 15-vjeçari ndodhet aktualisht nën trajtim psikologjik dhe është nën monitorim nga policia” – shpjegon gazetari.
“Arsyet janë ende nën hetim dhe nuk dihet pse ka ndodhur kjo ngjarje. Duhet theksuar se shqiptari i implikuar në këtë ngjarje është mbi 20 vjeç. Familjet njihen me njëra-tjetrën dhe mësohet se kanë pasur një miqësi. I mituri nga Shkodra ka mbetur jetim dy vite më parë dhe nuk e ka pritur që një i njohur i tij do ta tradhtonte dhe do të ushtronte dhunë ndaj tij,” – tha gazetari.
Ngjarja ka ngjallur reagime dhe shqetësim në komunitetin shqiptar në Suedi, ndërsa autoritetet janë në pritje të zbardhjes së plotë të motivit dhe rrethanave të këtij rrëmbimi tronditës.