Historia e pabesueshme e burrit që jetoi për 22 vite si murgeshë me emrin “motra Margarita”
Një nga historitë më të pazakonta që ka tërhequr vëmendjen e medias ndërkombëtare është ajo e Frank Tavares, një burrë nga Republika Dominikane, i cili jetoi për plot 22 vite si murgeshë në dy manastire të ndryshme, duke mbajtur emrin “motra Margarita” – pa u zbuluar asnjëherë nga askush për identitetin e tij të vërtetë.
Si filloi historia e pazakontë
Historia e tij nis kur ishte vetëm katër vjeç. Familja e tij u përfshi në një aksident të rëndë automobilistik, në të cilin humbën jetën prindërit e tij. Duke qenë se gjyshërit ishin të varfër dhe të paaftë për ta rritur, Frank u dërgua në një manastir të dominikanëve, ku nisi të rritej nën kujdesin e murgeshave.
Ai kujton se në fëmijëri organet e tij gjenitale ishin aq të vogla, saqë edhe vetë e kishte të vështirë t’i identifikonte. Ky fakt, bashkë me rrethanat e jetesës në manastir, bëri që ai të rritej si vajzë, të vishte rroba femrash, të ndiqte rregullat dhe rutinën e murgeshave dhe të përfshihej plotësisht në jetën komunitare.
Vetëm në moshën shtatëvjeçare ai kuptoi se ishte mashkull, por vendosi të mos e tregojë, nga frika se mund ta dëbonin. Me kalimin e viteve, ndonëse ishte i vetëdijshëm për identitetin e tij të vërtetë, vazhdoi ta fshehë, madje duke u përpjekur të imitojë çdo aspekt të jetës së murgeshave.
“Nuk bëja kurrë dush apo nuk zhvishem pranë tyre,” kujton ai. “Bëja dush shpejt, vishja të brendshme tip bokser, shtiresha sikur kisha ciklin menstrual dhe vishja fustane shumë të gjëra.”
Adoleshenca dhe tërheqja ndaj grave
Në adoleshencë, Frank filloi të ndiente tërheqje për disa prej murgeshave të reja në manastir. Kur la një prej tyre shtatzënë, u detyrua të transferohej në një manastir tjetër, por edhe atje historia u përsërit. Aty ai u dashurua me Silvian, gruan që e quajti “dashurinë e jetës”. Edhe ajo mbeti shtatzënë dhe i kërkoi atij të largohej nga manastiri dhe të ndërtonin një familje bashkë, por ai nuk e pranoi, pasi ndiente një barrë të madhe faji për gënjeshtrën ndaj murgeshave që e kishin trajtuar mirë.
Në fund, e vërteta doli në shesh kur një nga mësuesit e manastirit gjeti një letër që “motra Margarita” i kishte shkruar Silvias, ku zbulohej gjinia e tij e vërtetë.
Zbulimi dhe jeta pas manastirit
Në vitin 1979, pasi u zbulua, Frank nuk pati tjetër zgjedhje veçse të largohej nga manastiri dhe të fillonte një jetë të re si burrë, pas 22 vitesh të kaluara duke u shtirur si murgeshë. Gjatë kohës që qëndroi në manastir, kishte mësuar artin e rrobaqepësisë, ndaj pas largimit, filloi të punonte si rrobaqepës – profesion që vazhdon ta ushtrojë edhe sot, në moshën 73-vjeçare.
Historia e tij e pazakontë është transmetuar në disa programe televizive dhe ka qenë subjekt i të paktën dy librave, duke bërë jehonë të madhe për përmasat e saj të jashtëzakonshme njerëzore, psikologjike dhe shoqërore. /noa.al