Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në spektaklin “Big Brother VIP Albania”, ku konkurrenti Jozi goditi fizikisht Gjestin gjatë transmetimit live, ka reaguar aktori dhe humoristi i njohur, Flor Binaj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Binaj ka shprehur kritika të forta ndaj drejtuesve dhe prodhuesve të formatit, duke përdorur një term të ashpër: “PIG Brother Gjys VIP”, për të përshkruar degradimin që sipas tij ka pësuar programi ndër vite.
Në reagimin e tij, Binaj ngre disa akuza të drejtpërdrejta ndaj mënyrës se si menaxhohet formati:
Produksioni, sipas tij, ka pritur prej kohësh një incident të tillë për të rritur shikueshmërinë, dhe distancimi pas ngjarjes nuk e shfajëson këtë fakt.
Zarfi i zi, një instrument ndëshkues, është shndërruar në një mjet për marketing, duke i dhënë më shumë vëmendje sesa ndëshkim real pjesëmarrësve që shkelin rregullat.
Antivlerat po promovohen si argëtim, ndërsa dhuna, injoranca dhe paaftësia, sipas aktorit, po paraqiten si tipare të pranueshme për publikun.
Sipas Binajt, Top Channel është shndërruar nga një stacion cilësor në një platformë që kultivon mediokritetin, duke i lënë në hije vlerat dhe cilësinë në përmbajtje.
Ky reagim pason shqetësimin e ngritur në opinionin publik për incidentin e ndodhur live dhe për mënyrën si trajtohen tensionet dhe përplasjet brenda formatit.