Gjermania po përgatitet për një skenar lufte. Ministria e Brendshme ka kërkuar që shkollat të përfshijnë trajnime për mbrojtje civile dhe që qytetarët të sigurojnë rezerva ushqimore dhe ujë për të paktën 72 orë. Kjo lëvizje vjen mes paralajmërimeve se Rusia mund të sulmojë territorin e NATO-s brenda pak vitesh.
Sipas gazetës Handelsblatt, fëmijët gjermanë do të mësojnë se si të veprojnë në raste konflikti apo emergjencash. Një zëdhënës i ministrisë deklaroi se mbrojtja civile duhet të jetë prioritet, sidomos për shkollat. Deputeti i CDU-së, Roderich Kiesewetter, tha se fëmijët janë “veçanërisht të pambrojtur” dhe duhet të trajnohen për skenarë të tillë, duke ndjekur modelin e Finlandës, që për vite me radhë është përgatitur për një konflikt me Rusinë.
Pavarësisht se arsimi është kompetencë e landeve federale, Berlini është i gatshëm të shpërndajë materiale dhe udhëzime për të gjitha shkollat përmes Zyrës Federale për Mbrojtje Civile (BBK). Ndërkohë, BE ka miratuar një iniciativë të re për përgatitjen ndaj luftës dhe u ka rekomanduar të gjithë qytetarëve të përgatisin një “paketë emergjence” për 72 orë.
Paketa duhet të përfshijë: ujë, ushqime të thata, ilaçe, radio me bateri, elektrik dore, dokumente identiteti dhe thikë shumëfunksionale. Autoritetet paralajmërojnë se strukturat aktuale të Gjermanisë janë të papërgatitura dhe të mbifinancuara për një krizë madhore, me vlerësime që tregojnë se nevojiten mbi 30 miliardë euro për t’i sjellë ato në standardet minimale të luftës.
Shefi i ushtrisë gjermane, Carsten Breuer, tha se “sipas analizave tona, Rusia është e aftë të sulmojë NATO-n brenda 4 deri në 7 vitesh”.
Edhe Britania po përgatitet. Pas zbulimit të anijes ruse Yantar që po hartëzonte infrastrukturën nënujore të energjisë në Detin e Veriut, ekspertët e sigurisë i kanë bërë thirrje qytetarëve të kenë gjithashtu një paketë mbijetese. Thuhet se sabotimi i tubacioneve nga Rusia është një kërcënim real.
Ndërkohë, disa vende europiane kanë nisur shpërndarjen e udhëzuesve për mbijetesë në rast lufte. BE po ndjek shembullin e Finlandës, që ka theksuar rëndësinë e informimit të popullsisë për të shmangur panikun dhe për të rritur vetëdijen ndaj kërcënimeve.