Mbrëmjen e të dielës së 6 prillit, 43-vjeçari shqiptar Vladimir Topjana, u vra në Pordenone të Italisë, pas një konflikti të dhunshëm.
Autori i krimit, një shqiptar 30-vjeçar, e qëlloi tre herë me armë zjarri Topjanën, duke e vrarë para syve të kunatit të tij. Menjëherë pas krimit, vrasësi është arratisur me një makinë tip “Audi” të bardhë. Makina u ndalua në provincën e Trevisos, ku i dyshuari u arrestua së bashku me babain e tij që e shoqëronte.
Sipas rikonstruksioneve fillestare, debati mes Topjanës dhe autorit ka nisur në një lokal, gjatë transmetimit të një ndeshje futbolli.
Pas një debati të ashpër, Topjana dyshohet se ka kafshuar babanë e sulmuesit, duke i këputur veshin. Ky gjest shkaktoi dhunën dhe 30-vjeçari nxori armën dhe qëlloi dy herë 43-vjeçarin, njëra prej të cilave e kapi në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Pavarësisht arratisjes së të dyshuarit, autoritetet kanë mundur ta gjurmojnë dhe ta arrestojnë pas një kontrolli intensiv. Ende po zbardhet motivi i vrasjes, por debati i dhunshëm duket se ka shkaktuar aktin fatal.