Një qytetare nga Durrësi ka denoncuar publikisht një rast mashtrimi nga një kliente, e cila rezulton të jetë mësuese në këtë qytet.
Sipas denoncimit, më 7 tetor 2024, klientja hyri në dyqanin e saj dhe mori veshje me vlerë 10,000 lekë. Në momentin e pagesës, ajo pretendoi se kishte harruar portofolin në makinë, e cila ndodhej në servis, dhe premtoi se do t’i shlyente paratë të nesërmen.
Duke e besuar fjalën e saj, pronarja e dyqanit ia dorëzoi rrobat, por pagesa nuk u bë kurrë. Pas gjashtë muajsh pritjeje, mesazhesh, telefonatash dhe paralajmërimesh, klientja vazhdoi me justifikime të ndryshme.
DENONCIMI
”Përshëndetje JOQ,
Sot dua të bëj publik një rast mashtrimi nga një kliente, e cila është mësuese në qytetin e Durrësit. Më 7 tetor 2024, zonja erdhi në dyqanin tim dhe mori veshje me vlerë 10,000 lekë.
Në momentin e pagesës, më tha se kishte harruar portofolin në makinë, e cila ndodhej në servis. Më kërkoi t’i merrte rrobat me vete sepse i duheshin urgjent dhe premtoi se do të më sillte paratë të nesërmen. Me mirëbesim, ia dhashë. Kurrë nuk e prisja që një mësuese, një person që edukon brezin e ri, të vepronte kështu.
Pas 6 muajsh pritjeje, pas shumë mesazhesh, telefonatash dhe paralajmërimesh, ajo ka vazhduar vetëm me mashtrime. Madje, edhe një avokate e kontaktoi për të zgjidhur çështjen, por edhe atë e mashtroi.
Në shkurt, më tha: “Nëse nuk t’i sjell nesër, vepro si të duash.” Jemi në mars, dhe ende asnjë pagesë. Sot kam vendosur ta bëj rastin publik, me fotografi, emër dhe mbiemër. I kërkoj falje familjarëve të saj, por ky njeri nuk paska as dinjitet, as përgjegjësi.
Ju lutem merreni në konsideratë denoncimin tim. E kam vënë zonjën në dijeni që do ta bëja publik këtë rast, por ajo nuk është shqetësuar fare.
Unë e kam konsideruar këtë shumë të humbur, por të paktën dua të paralajmëroj dyqanet e tjera në qytetin tonë të mos bien pre e këtij mashtrimi.“