Një qytetare nga Korça ka denoncuar një klinikë estetike në Korçë pasi trajtimi me lazer nuk ka shkuar ashtu siç duhet dhe ajo ka pësuar djegie të rënda në lëkurë.
Qytetarja ka treguar se trajtimi lazer në klinikën “Laser Center Korçë” u krye në mënyrë të gabuar dhe më pas, stafi në vend që të merrte përgjegjësinë, i sugjeroi që të bënte solar për të “rregulluar” dëmin, një veprim që ka shkaktuar shumë shqetësime për përkujdesjen ndaj klientëve.
Në denoncimin e saj, qytetarja ka dërguar foto për të vërtetuar djegien pasi ka përjetuar dhimbje të forta si pasojë e trajtimit të gabuar. Ajo ka kontaktuar disa herë me pronaren e klinikës, por nuk ka marrë asnjë reagim, duke e cilësuar këtë si një akt të papërgjegjshmërisë dhe neglizhencës nga ana e stafit të klinikës.
Ajo ka kërkuar që ky incident të bëhet publik për të parandaluar rrezikimin e vajzave të tjera nga trajtime të pasigurta dhe jo profesionale.
Ky denoncim ngre shqetësimin për trajtimet e realizuara pa mbikëqyrje të mjaftueshme dhe për përgjegjësinë e pakët të disa klinikave që ofrojnë shërbime të tilla. Autoritetet shëndetësore dhe ato për mbrojtjen e konsumatorëve duhet të ndërhyjnë për të siguruar që trajtimet dhe procedurat të kryhen në përputhje me standardet e sigurisë dhe për të mbrojtur të drejtat e pacientëve.
Denoncimi i qytetares:
Përshëndetje! Po ju shkruaj lidhur me një problem që kam pasur. Kam bërë një trajtim lazer në një klinikë në Korçë, Laser Center Korçë, dhe gjatë trajtimit ata nuk e dinin si ta përdornin aparatin, duke më shkaktuar djegie të lëkurës. Pas kësaj, më sugjeruan të bëj solar, pa asnjë turp. Po ju dërgoj fotot për të provuar këtë djegie të lëkurës që më kanë shkaktuar. Kam përjetuar një dhimbje të tmerrshme.
Kam kontaktuar pronaren e klinikës, por ajo nuk ka dashur të merret fare me problemin tim. Ju lutem, shpërndani këtë mesazh dhe fotot e klinikës për të treguar se çfarë ndodhi dhe për arrogancën që ata treguan. Duhet të ndalohet që vajza të tjera të përballen me të njëjtin rrezik.
Kam folur edhe me ta para një muaji, duke i thënë që lëkura ime ishte shumë keq, por ato vajzat në klinikë më thanë që do të rregullohej dhe se nuk duhej të shqetësohesha. E kam kontaktuar edhe pronaren e klinikës disa herë, por nuk hap telefonin dhe nuk më kthen përgjigje.