Meteorologia Tanja Porja ka parashikuar se si do të jenë kushtet e motit përgjatë muajit prill.
Porja tha se java e parë e muajit prill pritet të ketë reshje shiu, të cilat sipas saj nuk do të jenë me intensitet maksimal, por do të kenë shtrirje thuajse në të gjithë vendin.
Ajo tha gjithashtu se gjatë muajit prill do të kemi dy episode me reshje dëbore në zonat malore, që sipas meteorologes, është diçka jo shumë e zakonshme për këtë kohë.
“E gjithë java do të jetë me shi. Marsi u përmbyll ashtu siç ne e kishim parashikuar, me kapërcime të temperaturave nga mjaft të ulëta në ato të larta që arritën deri në 27 gradë celcius maksimumi, ndërkohë që kemi patur edhe vlera negative dhe disa episode me reshje dëbore.
E kishim thënë edhe më herët se dëbora do të shfaqej edhe në Prill dhe në fakt këtë dua të them. Të paktën 2 episode me reshje dëbore do i kemi edhe në prill. Sidomos në zonat malore. Shanset që tëketë dëborë në Tiranë në muajin prill janë shumë afër zeros.
Muaji mars dhe prill janë muaj mjaft të pasur me reshje, në kushte klimatike normale. Ne kemi edhe një sinjal që muaji maj do të jetë mjaft i lagësht, do të ketë reshje edhe këtë muaj. Këtë mars dhe prill, ndryshe nga zakonisht, ka pasur dhe do ketë reshje të pakta shiu. Java e parë ka reshje të pakta”, tha Porja në A2 CNN