Një rast i paprecedent ka ndodhur më 21 maj të vitit të kaluar ndërmjet dy panelistëve në ambinetet e Televizionit ATV, pas përfundimit të emisionit “Context” të moderatorit Leart Hoxha.
Pas përplasjeve verbale gjatë emisionit, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, i cili aktualisht ushtron profesionin e avokatit, e ka kanosur hulumtuesin e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) , Flamur Kabashi.
Sipas burimeve të KosovaNews, ngjarja kishte ndodhur pas përfundimit të emisionit, ku të dy panelistët ishin përplasur verbalisht me fyerje e sharje, por edhe me fjalë kërcënuese.
“Mshele gojen more balosh se të gjuaj për dritare”, mësohet t’i ketë thënë ish-kryetari i Gjykatës së Apelit hulumtuesit të IKD-së, Flamur Kabashi.
Mirëpo, ajo që është më skandaloze është se, sipas burimeve të KosovaNews, Hasan Shala kishte poseduar armë në brez edhe gjatë paraqitjes së tij në atë debat televiziv, gjë të cilën e pranoi edhe vetë ai kur e kontaktuam përmes telefonit.
Menjëherë pas kësaj ngjarje, Flamur Kabashi e kishte denoncuar rastin në polici dhe më pas policia, me urdhër të Prokurorisë, kishte nisur hetimet.
Hasan Shala dhe Flamur Kabashi
Fillimisht rastin e kishte trajtuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, mirëpo rasti kishte kaluar në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, për shkak të konfliktit të mundshëm të interesit, pasi që djali i ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit punon në Prokurorinë Themeleore të Prishtinës.
Pas mbledhjes së provave dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë më 17 dhjetor të vitit të kaluar kundër Hasan Shalës, për shkak të dyshimit të bazuar të vepres penale “Kanosje”.
Këtë për KosovaNews e ka konfirmuar Zyra për Komunikim Publik e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
“Referuar kërkesës suaj për informacion, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, më datën 17.12.2024, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit H.Sh.,për shkak të dyshimit të bazuar të veprës penale “Kanosja”, nga neni 181, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
KosovaNews ka kontaktuar përmes telefonit me Hasan Shalën për ta pyetur rreth këtij rasti dhe posedimit të armës në emision dhe Shala e ka pohuar se e ka poseduar revolën me vete, por ai ka thënë se këtë e ka me leje dhe nuk e ka ekspozuar.
Gjatë bisedës, Shala është shfaqur i revoltuar edhe ndaj gazetarit të KosovaNews, duke përdorur fjalë fyese.
Gazetari: Z. Shala, Prokuroria Themelore në Ferizaj më 17 dhjetor të vitit të kaluar ju ka ngritur aktakuzë për veprën penale kanosje ndaj Flamur Kabashit?
Hasan Shala: Po, është e vërtetë, Prokuroria e ka ngritur aktakuzën dhe tash kemi me dalë në gjykim, besoj shpejt.
Gazetari: Z. Shala, gjatë emisionit ju keni poseduar edhe armë me vete, apo jo?
Hasan Shala: Hajt bre mos m’shurdho, kush tha që kam posedu armë, je ka folë me rrenë të hallkit, as se kam ekspozu revolën as kurgjo, po ai pis është marrë me shpifje.
Gazetari: Ama ju e keni pasë armën me vete në emision, apo jo?
Hasan Shala: A e kam pas a s’e kam pasë me vete ty çka po të intereson?
Gazetari: Ne po na intereson a e ki me leje a pa leje?
Hasan Shala: Po me leje more balosh, me leje.
Gazetari: Po a ke pasë të drejtë ti me hy në emission me armë?
Hasan Shala: O unë jam hi po a e kam ekspozu armën a jo?
Gazetari: Po unë nuk e di.
Hasan Shala: Po unë vetë e kom pranu që e kam pasë armën po s’e kam ekspozu kurrë, po moni more mos u merri me punë të flliqta…ai tan kohën më ka nxit, më ka provokue e më ka incizu e ju s’merreni me atë punë hiq.
Shala ka thënë se nuk e ka kanosur Flamur Kabashin me fjalët “të gjuaj për dritare”, ai është arsyetuar duke thënë se se krejt kjo ka qenë hajgare, madje ai e ka akuzuar Kabashin dhe IKD-në se kanë ndikuar në prokurori që t’i ngritet aktakuza.
Gazetari: Ju a e keni kanosur Flamur Kabashin dhe i keni thënë të gjuj për dritare?
Hasan Shala: Po jo more unë i kam thanë Leartit (moderatorit) se më tha hajde pije ni wiski i kam thanë jo more se edhe qeta mangi e kam se me ba me pi edhe wiski i gjuj k’ta, s’kom thanë vetëm për këtë, se u kanë edhe Xhevdet Pozhari edhe i kam thanë në hajgare po moni more mos merri me k’si punë se nuk bahet gazetari kështu me dallavere.
Gazetari: Po nuk është dallavere kjo, se ky është vendim i prokurorisë, m’fal prokuroria të ka ngritur aktakuzë për këtë punë, apo jo?
Hasan Shala: Po se k’ta janë shku edhe kanë intervenu në prokurori atje edhe prokuroria ka ra, merre lexoje kallximin penal me çka kam kërcënu, merre dëgjoje dëshmitarin ku thotë që tanë kohen ka qenë i nxitur dhe i incium prej k’tij Flamurit, moni more djem kështu, se nuk bahet me rrena e dallavere.
Gazetari: Po jo bre se unë s’jam t’u rrejt, po bazohem në prokurorinë.
Hasan Shala: A e ke lexu kallximin penal?
Gazetari: Jo, nuk e kam lexuar.
Hasan Shala: Eh po qekjo është ma e keqja, ku ki kërcnim këtu, i kam thanë kastravec, i kam thanë balosh se më ka provoku, mirëpo kërcënim asnjë fjalë s’e kom, se unë ligjin e njoh, ama me ra pre e k’tyne kastravecave nuk bi ,pak jam temperament po nuk bi se unë e di çka foli. Me pas dasht me rreh e kisha rreh, e kisha ba llom, po s’kom dasht.
Shala e ka pranuar se gjatë debatit e ka pasur edhe revolën në brez, një gjë aspak etike kjo, aq më tepër për një ish-kryetar të Gjykatës së Apelit.
Gazetari: Sa është etike dhe profesionale me shku ti me hy me revole në studio?
Hasan Shala: Qysh, po unë e kam lejen o zotni.
Gazetari: Qysh, në emision me hy me armë a?
Hasan Shala: Po çka ka lidhje, kërkush sen s’më ka thanë, nëse e kam ekspozu unë armën është e vërtetë nuk është etike, mirëpo as që shihet arma që e kam pasë me veti, unë vetë e kom pranu, armën që 20 vjet e kam me leje, po kurrë s’e kam ekspozu, po moni more ashtu, se unë e di ma mirë se ti çka është etike.
Këtu e ka përfunduar bisedën Shala.
KosovaNews e ka kontaktuar edhe hulumtuesin e IKD-së, Flamur Kabashin, i cili në këtë rast është në rolin e viktimës, mirëpo ky i fundit nuk ka pranuar të prononcohet, duke thënë se çështja tashmë i ka kaluar drejtësisë.
Hasan Shala në të kaluarën ka pasur poste të larta nëpër institucionet e drejtësisë, për dy mandate ai ka qenë kryetar i Gjykatës së Apelit, si dhe ka qenë kryesues i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Emri i Shalës është lakuar edhe në “aferën pronto“. Në dhjetor të vitit 2011, ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, pranoi një telefonatë nga avokati dhe miku i tij, Idriz Ibraj. Ai i sugjeronte Grabovcit që të mbështesë kandidaturën e një personi të quajtur Hasan, për një detyrë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
“E pashë në gazetë qaty se për një anëtar të Këshillit Gjyqësor duhet me qenë [dikush] prej Dukagjinit”, thotë Ibraj dhe vazhdon: “A kish ba Hasanin me e shti aty?”
“Në daq me zgjidh problemin për qeknena, me e pas na një anëtar të fortë si me kanë i PDK-së”, vazhdon ai teksa tenton të bindë Grabovcin.
Grabovci pasi merr disa sqarime lidhur me këtë pozitë, i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Ibrajt.
“Këqyr qysh shkojnë procedurat e më tregon, të lutem. Se qind për qind jam për Hasanin”.
Shala nuk e ka mohuar as miqësinë e tij të dikurshme me ish presidentin Thaçi madje ai tashmë kur ka dalë në pension ka shfaqur fotografi së bashku me Hashim Thaçin, duke u shetitur në Prevallë.