Seksioni i Apelit i Gjykatës së Lartë të Drejtësisë së Katalonjës ka pranuar me shumicë të plotë apelimin e futbollistit Dani Alves, i cili ishte dënuar nga Seksioni 21 i Gjykatës Provinciale të Barcelonës me 4 vite e gjysmë burg për një krim agresioni seksual ndaj një vajze, në një diskotekë të Barcelonës më 31 dhjetor 2022.
Plenumi i Seksionit të Apelit, i përbërë nga gjykatësit María Àngels Vivas (raportuesja), Roser Bach, María Jesús Manzano dhe gjykatësi Manuel Álvarez, nuk e ndanë bindjen e shprehur nga Gjykata e Barcelonës dhe vërejtën se në shpjegimin e saj ka “një sërë boshllëqesh, kontradiktash dhe pasaktësish mbi ngjarjet, vlerësimin juridik dhe pasojat e tyre”.
Gjykata ka hedhur poshtë apelimet e prokurorisë, që kërkonte shfuqizimin e pjesshëm të vendimit dhe në mënyrë të dytë rritjen e dënimit në 9 vite burg; si dhe të akuzës private që kërkonte shtimin e dënimit në 12 vite burg; dhe ka shpallur të pafajshëm të akuzuarin. Kësisoji, ka lënë pa efekt masat e kujdesit të vendosura ndaj ish-futbollistit dhe ka shpallur koston e procesit përkatës.
Vendimi i shpallur të premten thekson se “në vendimin e apeluar tashmë ishte përmendur mungesa e besueshmërisë së dëshmisë së denoncueses në pjesën e ngjarjeve që mund të verifikoheshin objektivisht përmes regjistrimeve të videos, duke treguar në mënyrë të qartë se ato që ajo ka thënë nuk përputhen me realitetin”.
Ishte Gjykata e Barcelonës ajo që e dënoi ish-futbollistin brazilian në shkurt të vitit 2024 për ngjarjet e ndodhura natën e 30 dhjetorit 2022. Kur u shpall vendimi, Alves, i cili kishte kaluar më shumë se një vit në paraburgim, u dënua me 4 vite e gjysmë burg, 5 vite mbikëqyrje pas lirimit dhe 9 vite ndalim afrimi ndaj “viktimës”. Gjithashtu, u vendos që braziliani t’i paguante “viktimës” një dëmshpërblim prej 150.000 eurosh.
Tani, dhoma e apelit e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë së Katalonjës, e përbërë nga tre gra dhe një burrë, ka vlerësuar se dëshmia e “viktimës” nuk është “e mjaftueshme për të mbajtur në fuqi dënimin e të akuzuarit dhe se në këtë rast mbizotëron e drejta për prezumimin e pafajësisë”, ka raportuar “Cadena SER”.