Këngëtari shqiptar, Christos Santikai, ka ndarë kujtimet e tij nga fëmijëria, kur ai dhe familja e tij u transferuan nga Shqipëria në Greqi.
Ai ka shpjeguar për mediat greke se nuk e ka ndjerë veten si i zhvendosur, pasi është rritur në Greqi dhe ndihet grek. Kujtimet e tij për Shqipërinë janë të pakta, duke përfshirë vetëm momente të vështira, si pushkatimet gjatë luftës civile.
Në lidhje me largimin nga vendi i tij, Christos ka treguar se ishte një vendim i marrë brenda natës, pasi nuk kishte mundësi tjetër.
“Kam lindur në vitin 1994 në Shqipëri dhe kam ardhur në Greqi në vitin 1997, kur isha po aq i vogël sa djali im tani. Nuk e mendoj se kam lënë shtëpinë, sepse nuk e ndjej ashtu. Më duket sikur jam grek, pasi jam rritur këtu. Kujtimet e mia të vetme janë të shtënat me armë, pasi ato filluan edhe në qytetin tim,” ka thënë ai.