Një apel ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një vajzë që kërkon ndihmën e shqiptarëve për nënën e saj të sëmurë. Fatmire Hoxha, një nënë shqiptare, ndodhet në Itali dhe ka nevojë urgjente për një operacion të specializuar në zemër.
“Pershendetje JOQ, ju lutem do të më ndihmonit shumë nëse e postonit. Kam nevojë urgjente për ndihmë. Mami ndodhet në Itali dhe duhet të kryejë një ndërhyrje për zemrën, por shuma e kërkuar është e papërballueshme për ne. Ajo qëndroi një muaj në spital për stabilizim, por duhet ta bëjë ndërhyrjen sa më shpejt. Operacioni duhet të realizohet me robot, sepse nuk e përballon më një operacion të hapur. Ju lutem, na ndihmoni,” shkruan vajza e Fatmires në mesazhin e saj drejtuar redaksisë tonë.
Fatmire Hoxha ka kaluar dy operacione të mëparshme për zemrën në Shqipëri, por gjendja e saj aktuale kërkon një procedurë tepër delikate, e cila mund të realizohet vetëm në Itali ose Gjermani.
Kjo ndërhyrje ka një kosto prej 27,000 eurosh, shumë që është e papërballueshme për familjen e saj. Sipas mjekëve, operacioni duhet të kryhet brenda një muaji për të shpëtuar jetën e saj.
Fatmire Hoxha ka nevojë për një ndërhyrje të specializuar për të hapur rrugët e bllokuara të gjakut drejt zemrës. Kjo ndërhyrje nuk mund të kryhet në Shqipëri për shkak të mungesës së pajisjeve dhe ekspertizës mjekësore.
Operacioni është jetësor dhe çdo kontribut, sado i vogël, është i rëndësishëm për shpëtimin e saj.