Një muaj më parë, më 22 shkurt, qytetarët dërguan një video në redaksinë e JOQ Albania ku shfaqej një grua e moshuar e ulur në rrugë pranë shkollës “Janaq Kilica” në Fier, e mbuluar me një batanije dhe me disa ushqime pranë saj.
Pas publikimit të lajmit, e moshuara u dërgua fillimisht në azilin e Fierit dhe më pas u transferua në spitalin psikiatrik të Vlorës.
Mirëpo, ditën e sotme një qytetare ka bërë një tjetër denoncim, ku sipas saj e njëjta e moshuar që u raportua para një muaji në redaksinë tonë dhe u largua nga rruga pas publikimit të lajmit, është rikthyer sërish në të njëjtin vend.
Me të drejtë, ajo ngre disa pikëpyetje të mëdha: Si mund të ketë dalë një person në gjendje të tillë nga spitali psikiatrik? A u trajtua ajo siç duhet nga institucionet përkatëse? Apo u la thjesht në mëshirë të fatit, ashtu si më parë?
Sipas dsaj, e moshuara ka të paktën një javë që është rikthyer në të njëjtin vend ku u filmua një muaj më parë.
Ky denoncim ngre dyshime të forta mbi funksionimin e shërbimit social dhe institucioneve në Fier dhe Vlorë.
Rasti i saj përforcon shqetësimin e madh mbi funksionimin e shërbimeve sociale dhe kujdesit psikiatrik në vend. Kush i monitoron dhe si trajtohen rastet e personave të pastrehë dhe atyre që kanë nevojë për kujdes shëndetësor mendor?
Institucionet përkatëse duhet të japin një shpjegim për këtë rast dhe të marrin masa që këto situata të mos mbeten të paadresuara. Gjithashtu, qytetarët duhet të jenë më të ndjeshëm dhe të raportojnë raste të tilla tek autoritetet, për të siguruar që asnjë person i pambrojtur të mos mbetet në mjerim.