Shqipëria dhe Kosova ndajnë të njëjtën gjuhë e histori, por ndihen ndryshe për jetën. Raporti Botëror i Lumturisë 2025, publikuar nga OKB, tregon se Kosova është vendi më i lumtur në rajon, duke u renditur e 29-a në botë dhe e 18-a në Europë, ndërsa Shqipëria është ndër më të palumturat, në vendin e 89-të, e fundit në Europë pas Turqisë.
Në rajon, Serbia renditet 31-ta, Bosnja 56-ta, Mali i Zi 71-shi dhe Maqedonia e Veriut 86-ta. Indeksi mat lumturinë bazuar në të ardhurat, mbështetjen sociale, shëndetin, lirinë personale, bujarinë dhe korrupsionin.
Korrupsioni mbetet një problem madhor, me Shqipërinë në vendin e 111 për perceptimin e tij. Ndërkohë, mungesa e mbështetjes sociale është një tjetër faktor negativ, pasi Shqipëria renditet e fundit në Europë për këtë tregues.
Kosova renditet e 17-a në botë për bujari, ndërsa Shqipëria është në vendin e 72-të, duke lënë pas vetëm Malin e Zi në rajon.
Qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë ndihen më të lirë për të marrë vendime jetësore, duke u renditur përkatësisht në vendin e 28-të dhe 34-të në botë, ndërsa Maqedonia e Veriut është ndër më të kufizuarat në Europë.
A e blen paraja lumturinë?
Kosova, megjithëse një nga vendet më të varfra në rajon, rezulton ndër më të lumturat falë ndjenjës së lirisë, bujarisë dhe perceptimit më të ulët të korrupsionit. Në të kundërt, Shqipëria, pavarësisht të ardhurave më të larta, vuan nga mungesa e mbështetjes sociale dhe korrupsioni i lartë, që ndikojnë negativisht në lumturinë e saj.