Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka nisur fushatën elektorale, ndonëse ndodhet pas hekurave me akuza nga SPAK për korrupsion, duke u shprehur i bindur për një fitore në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në një mesazh drejtuar mbështetësve të tij, por jo vetëm, Meta shpreh bindjen se kandidatët e PL-së jo vetëm nuk do të “rrëmbejnë” deputetë nga koalicioni me PD-në, por do të mundësojnë deputetë në disa zona ku kanë ndikim më të madh.
Meta i bën thirrje mbështetësve të mobilizohen për këtë betejë elektorale, në përmbysjen e “narkoregjimit”.
Mesazhi i plotë i Metës:
Të dashur qytetarë,
Meta për Tiranën, do të jetë garanci për demokraci. Më 11 Maj jam i bindur se do të jetë fundi i kryetarokracisë dhe garancia më e sigurt për këtë do të jetë Partia e Lirisë dhe rezultati i jashtëzakonshëm, që ajo do të arrijë, në radhë të parë në Tiranë, por edhe në 8 Qarqet e tjera. Ky është misioni ynë kryesor, 17 vite nga viti 2008 kur Edi Rama imponoi ndryshimet kushtetuese duke kushtëzuar listat e mbyllura, pasojat e të cilave janë katastrofike, siç i prekim të gjithë sot. Bashkë me deputetët e LSI atëhere dhe disa kolegë deputetë të partive të tjera, bëmë edhe grevë urie në Kuvend për të kundërshtuar dhunimin që iu bë Kushtetutës brenda natës dhe duke paralajmëruar minimin e parlamentarizimit dhe të llogaridhënies.
Ndaj 11 Maji jam i bindur se do të jetë hera e fundit kur qytetarët shqiptarë nuk e dinë se cili është deputeti i tyre, të cilit duhet t’i kërkojnë llogari gjatë 4 viteve.
Partia e Lirisë është në këtë koalicion “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” jo vetëm për të përmbysur Narkoregjimin, por mbi të gjitha për të rivendosur përgjithmonë demokracinë funksionale dhe garantuar kontrollin e qytetarëve ndaj deputetëve. Për këtë koalicioni ynë duhet të arrijë një fitore me 84 mandate, në mënyrë që opozita e ardhshme e “Rilindjes” të mos ketë asnjë shans të bllokojë këtë rikthim të demokracisë dhe fuqizimin e përhershëm të qytetarëve.
Për këtë Partia e Lirisë do të bëjë betejën më madhore në shërbim të vendit duke përmbushur një mision historik të nisur 17 vite më pare. Më 11 Maj na duhet së pari në Tiranë të realizojmë një rezultat historik dhe spektakolar dhe më të lartin në këto 20 vite, që nga themelimi i kësaj force politike.
Partia e Lirisë nuk ka hyrë në koalicionin “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” as për të përfituar 2 deputetë në listat e mbyllura në Tiranë apo 4 në të gjithë Shqipërinë. As për të bërë Ilir Metën deputet, se një mandat të tillë mund ta marrim edhe me 15 mijë vota. Por çfarë vlere kanë 3 deputetë me nga 5 mijë vota secili? Këta janë gjysëm-deputet.
Jo. Ne hyjmë jo për t’u marrë 2 apo 3 deputetë demokratëve, por për t’u dhënë të paktën edhe 2 deputetë të tjerë që ata kurrë nuk do të mund t’i merrnin pa Partinë e Lirisë. Për këtë qëllim madhor na duhet minimumi të fitojmë mbi 50 mijë vota në Qarkun e Tiranës, pa përfshirë diasporën, aq sa ka qenë rezultati i LSI në vitin 2017 në betejën më të vështirë kundër koalicionit më të madh të 17 Majit që synonte shfarosjen e LSI. Ndaj vota për Ilir Metën në listën e hapur të Qarkut të Tiranës, të koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” është vota e Partisë së Lirisë, por edhe garancia e rikthimit të demokracisë në mënyrë të përhershme.
Ndërkohë, Partia e Lirisë garanton se kushti i parë dhe i padiskutueshëm i koalicionit të ardhshëm qeverisës do të jetë zhdukja e listave të mbyllura, që imponoi Edi Rama 17 vite më parë për të shkallmuar parlamentarizmin dhe llogaridhënien.
Jam i bindur se kjo do të mbështetet plotësisht edhe nga Partia Demokratike, PDIU dhe aleatët e tjerë.
Me këtë rast dua të vlerësoj shumë edhe kandidimin e Kryetarit të PDIU-së në listën e hapur për Qarkun e Tiranës.
Kështu do të marrë fund kjo situatë absurde që ka shpikur Edi Rama, ku shumica e deputetëve janë të nënës dhe pakica janë të njerkës.
Ndërkohë që shqiptarët praktikisht ftohen të votojnë për pakicën e deputetëve, sepse shumica e deputetëve të ardhshëm janë kyçur në sirtarin e KQZ-së me firmën e Edi Ramës.
Edhe 6 javë për të shporrur listat e mbyllura të Edi Ramës dhe “Rilindjes” dhe garancia e Partisë së Lirisë dhe Ilir Metës është e pakthyeshme.
Ndaj për Ilir Metën nuk do të votojnë vetëm të gjithë votuesit e Partisë së Lirisë, por edhe të gjithë socialistët që u eksterminuan pjesë-pjesë nga Edi Rama gjatë 17 viteve, me pabesi, për t’i zëvendësuar sot me anonimë kokëulur dhe karton ngritur.
Përshëndes fuqimisht edhe deklaratën e mbrëmshme të liderit të Partisë Demokratike dhe Kryetarit të koalicionit “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, Prof.Dr Sali Berisha, se do të përkrahë listat e hapura për t’ua kthyer deputetët qytetarëve dhe për t’i rikthyer pushtetin sovranit ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Pengmarrja nga Edi Rama e demokracisë, e parlamentarizmit, e llogaridhënies i ka ditët e numëruara dhe listat e mbyllura që ai shpiku, do të hidhen në koshin e plehrave të historisë më 11 Maj.
U bëj thirrjë të gjithë anëtarëve, simpatizantëve të Partisë së Lirisë, të gjithë atyre që na kanë ndjekur në 20 vite, për shkak të kauzave të mëdha, por edhe të gjithë qytetarëve që janë bërë indiferentë për shkak edhe të listave të mbyllura që nuk i përfaqësojnë, që të angazhohen, që nga ura e Rogozhinës e të ura e Fushë-Krujës, nga nënkalimi i Maminasit e te tuneli i Krrabës, të mobilizohen si kurrë më parë në këtë betejë historike të 11 Majit që do ndajë epokat.
Ta kthejmë 11 Majin në një referendum kundër listave të mbyllura që instaluan Narkoregjimin dhe në një referendum që garanton listat e hapura 100%, përgjithmonë, duke ja rikthyer fuqinë qytetarëve dhe sovranit.
Jam i bindur se kjo do të ndodhë kudo, në të gjithë Shqipërinë, nga Saranda e deri në Tropojë.