ROMË – Senati italian ka miratuar marrëveshjen historike me Shqipërinë për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, duke i dhënë fund një pritjeje të gjatë për mijëra shqiptarë që kanë punuar në të dyja vendet.
Kjo marrëveshje, e cila u miratua më 5 mars me 129 vota pro dhe asnjë kundër, synon të garantojë të drejtat e pensionit për qytetarët shqiptarë në Itali dhe italianët në Shqipëri.
Por, kush përfiton nga marrëveshja?
Qeveria shqiptare trumbeton se mbi 500 mijë shqiptarë mund të përfitojnë, por jo të gjithë ata që jetojnë në Itali kanë punuar në të dyja vendet. Për këtë arsye, vetëm ata që kanë kontribute të rregullta në të dyja sistemet do të kenë mundësinë të përfitojnë.
Sipas aktivistes Greta Bello, kjo marrëveshje pritet të ndikojë kryesisht tek gjenerata e parë e emigrantëve shqiptarë në Itali. Kjo do të thotë se ata që kanë punuar dhe derdhur kontribute në të dyja vendet do të kenë të drejtën të bashkojnë vitet e punës për të përfituar pensionin.
Duhet vënë në dukje dhe fakti se të 4 mijë Shqiptarët që jetojnë në vendin tonë, përfitojnë nga marrëveshja.
Përfituesit kryesorë të marrëveshjes janë:
Shqiptarët që kanë punuar si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali, duke paguar kontributet në të dyja sistemet e sigurimeve shoqërore.
Gjenerata e parë e emigrantëve shqiptarë, të cilët tani po arrijnë moshën e pensionit.
Mijëra shtetas shqiptarë që çdo vit përmbushin kushtet për pensionim.
Rreth 4,000 shtetas italianë që punojnë dhe jetojnë në Shqipëri.
Çfarë përfitimesh sjell marrëveshja?
Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë përfshin disa përfitime të rëndësishme për shqiptarët që kanë punuar në Itali dhe anasjelltas:
Njohjen dhe bashkimin e viteve të punës për të plotësuar kriteret për pensionin e pleqërisë.
Sigurimin e mbulimit shëndetësor dhe përfitimeve për sëmundjet për personat që kanë punuar në të dyja vendet.
Përfitime për papunësinë, duke ndihmuar ata që kanë kontribuar në sigurimet shoqërore të të dyja vendeve.
Një hap i madh për komunitetin shqiptar në Itali
Kjo marrëveshje përfaqëson një fitore të madhe për emigrantët shqiptarë në Itali, të cilët më parë përballeshin me pasiguri në lidhje me të drejtat e tyre të pensionit. Tani, falë kësaj marrëveshjeje, ata do të kenë një siguri më të madhe për të ardhmen e tyre dhe do të përfitojnë nga një sistem më i drejtë i sigurimeve shoqërore.
Marrëveshja Shqipëri–Itali për pensionet u arrit më 6 shkurt 2024 dhe është një hap historik në mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve shqiptarë në Itali dhe italianëve në Shqipëri./noa.al