Skandali tek Onkologjiku, Rama: Për të punuar në privat, mjekët do të marrin aprovim, s’mund të çojnë pacientët sa…

Kryeministri Edi Rama është shprehur se dypunësimi i mjekëve, pas skandalit tek Spitali i Onokoligjikut, do të jetë i mundur vetëm nëpërmjet marrjes së aprovimit. Në podkastin “Flasim”, Rama u shpreh se mjeku për të punuar në privat duhet të njoftojë dhe të marrë aprovim, duke shtuar se “s’mund të jetë ‘hajt se po nisem’.”

Kryeministri theksoi gjithashtu se “sjellja e pacientit sa andej këndej është thyerje e rëndë e kodit të etikës”, referuar dërgimit të tyre nga ana e bluzave të bardha nga spitalet shtetërore në ato private. Ndërsa shtoi se spitalet në Shqipëri i shajnë ata që nuk i kanë parë vitet e fundit, duke u shprehur se “kanë kujtimet e të shkuarës”.

Edi Rama: Është një adoptim jo i lehtë. Ndërkohë që këtë lidhjen e publikut me privatin, thjesht tani edhe për shkak të mësimeve që nxorëm nga historitë e pagëlltishme të Onkologjikut, e kemi që thjesht mjeku që punon në publik mund të punojë në privat, por duhet të njoftojë dhe të marrë aprovim. Nuk mund të jetë “hajt se po nisem”. Sjellja e pacientit sa andej këndej është thyerje e rëndë e kodit të etikës. Edhe aparaturat krahasuar me vendet që janë në majat e botës, si Spanja, kemi mangësi. Aparaturat bazike i kemi, por duhen që bëjnë veprime më të specializuara.

Ajo që ndodhi tek Onkologjiku ishte shumë prekëse, pra ishte tregues që kemi nevojë të përmirësojmë sistemin, mënyrën e menaxhimit. Kemi mjekë shumë të mirë, nuk diskutohet. Kur të del një rast si ai, ose si i Sanatoriumit një infermiere atje në kohën e pandemisë, janë raste që godasin besim tek sistemi. Spitalet në Shqipëri i shajnë ata që nuk i kanë parë vitet e fundit, kanë kujtimet e të shkuarës. Nuk kanë pasur nevojë të shkojnë, e thonë ‘ku ka spitale’.

Kam dëgjuar profesorë të huaj që thonë “Nuk e besojmë dot që ka një spital në Shqipëri si ai i sëmundjeve të brendshme”. Mundohem të jem realist. Po e pashë unë gri nuk i vjen e keqja njeriu, po e pashë rozë mund të sjellë rozë.