Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në një emision televiziv ka folur për verifikimin që SPAK ka nisur lidhur me kontratën e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA, me një vlerë 6 milionë dollarë për dy vite. Lala tha se SPAK po verifikon disa aspekte për të kuptuar nëse ka dyshime për vepër penale, ndërkohë që shtoi se nëse paratë do të konsiderohen si donacion i huaj, Flamur Noka, firmëtar i kontratës, përfundon në pranga.
“SPAK ditën e djeshme ka deklauar zyrtarisht, që ka nisur verifikimet për kontratën e PD me një kompani lobuese në SHBA.
Duhet theksuar, ligjërisht, kontratat për lobim janë të ligjshme. Në rastin konkret janë dy problematika. Bëhet fjalë për kontratë me afat 24 mujor. Prokurorët do të shohin, se cilat janë të ardhurat e përdorura për të paguar kompaninë lobuese. Është deklaruar se bëhet fjalë për një fondacion, MAGA, të financuar nga shqiptarë të Amerikës, por nuk është hetuar ende nga prokuroria. Duhet që prokuroria amerikane, të hetojë për shkeljet e ligjit atje. Por mënyra e financimit është pika e parë që do të hetohet nga prokurorët këtu.
Pika e dytë, objekti i kontratës. Ligji për partitë politike dhe ligji për fushatën zgjedhore, ndalon financimet nga jashtë dhe lobimin për arsye elektorale. Përmbajtja është rindërtimi i marrëdhënieve mes administratës së SHBA dhe PD. Por, kontrata mund të ketë shtojca ose anekse që mund të japin panoramë tjetër. Me fjalë të thjeshta, kontratat lobuese janë të ligjshme. Këto kontrata sipas ligjeve në SHBA, deklarohen atje. Por interes për prokurorinë shqiptare, bën burimi i parave. Kush është personi ndërmjetës dhe garant? Deklarohet Nuredin Seçi, çfarë përfaqëson dhe pse është garant. Është si kredimarrje, me garantor. Seçi ka hyrë garantor nëse nuk paguhen paratë.
Nuk është një hetim i zakonshëm. Prokurorët do të thërrasin zotin Noka, për të dhënë shpjegime. Nëse konstatojnë indicie për shkelje penale, mund ti kërkohet kontrata zotit Noka. Nëse nuk sigurohet, kërkohet përmes letërporosisë SHBA-ve. Nuk mendoj se do të ketë histori hetimi penal me rezultate të shpejta, sepse duhet marrë kontrata dhe të shiheni donatorët, shqiptaro-amerikanët që kanë hedhur para, interesi i tyre, a kanë të ardhura të ligjshme e me rradhë.
A duhet ta deklaronte PD këtë kontratë?
Duke qenë kontratë shërbimi, PD është brenda afateve ligjore për ta deklaruar, pra nuk ka dyshim të arsyeshëm që PD e ka fshehur kontratën. SPAK po kryen verifikime. Nëse do të ishte donacion i huaj, zoti Noka do të ishte me pranga. Procesi i verifikimit po vijon. Dy momente po hetohen.
Për aspektin politik nuk jap argumenta, nuk marr përsipër të bëj analizë. Për procedurën ligjore, dy janë momente, cilët janë njerëzit që kanë bërë donacione dhe a lejohet kjo. Nëse ka elementë të veprës penale, regjistrohet procedim penal. Mund të ketë edhe vepër penale por jo në kompetencë të SPAK. SPAK ka procedurë të çelur mbi bazën e të dhënave të bëra publike në media. Çfarë do të japë hetimi, mbetet këtu”, tha Lala.