13 mijë shqiptarë në sitë për pasurinë e vënë. Tatimet nisin hetim dhe kontroll të imët

Pothuajse 13 mijë shqiptarë janë identifikuar nga zyrtarët tatimorë si njerëz me pasuri të larta dhe për këtë, do t’i nënshtrohen një kontrolli të imët që në fund ka qëllim të dyfishtë, zbulimin e origjinës së pasurive dhe taksimin e tyre.

Programi i punës së urdhëruar nga Ministeia e Financave është dyvjeçar dhe nis në janar 2025. Ai përfshin zyrtarë nga hetimi tatimor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe drejtoritë lokale, duke u bashkërenduar me disa institucione të tjera shtetërore, deri OSHEE, ujësjellësit lokalë, etj. Në këtë projekt do të përfshihen deri dhe autoriteti detar, ai ajror civil, bashkitë, kadastrat, si dhe DPSHTRR.

Në dokumentin afatmesëm të politikës fiskale, Ministria e Financave thotë se “do të ngrejë dhe do të aktivizojë brenda vitit 2026 të dhënat për individët më të pasur të vendit, i cili do të ketë për qëllim edhe hetimin e pasurive të pajustifikuara si dhe kryerja e hetimeve të tatimpaguesve dhe individëve bazuar në të dhënat e pasurive”.

Sipas Financave, duhet që deri në fund të vitit 2026, të jetë gati Regjistri i Aseteve të Tatimpaguesve.

Me të përfunduar ky regjistër, nis dhe taksimi i ri për këta afro 13 mijë pasanikë shqiptarë që do të duhet të paguajnë taksat përkatëse. /noa.al