Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një mësuese e një shkolle 9-vjeçare në Durrës, e cila ka zbuluar një rast skandaloz ku drejtoresha e shkollës po detyron mësuesit dhe nxënësit të marrin pjesë në një aktivitet politik, pavarësisht se është ditë pushimi zyrtar për shkak të Pashkëve. Denoncimi është shoqëruar me mesazhe nga grupi i shkollës në WhatsApp, të cilat tregojnë qartë presionin e ushtruar nga drejtuesja.
Sipas mesazheve të siguruara nga JOQ Albania, drejtoresha ka urdhëruar mësuesit që të dalin nesër, më 21 prill, në orën 11:00 në sheshin para Bashkisë, për të zhvilluar aktivitete ku do të jenë të pranishëm kryeministri Rama dhe kryebashkiakja Sako. Ajo ka kërkuar që mësuesit të shoqërohen me 5 nxënës secili dhe emrat e tyre t’ia dërgojnë privatisht me listë. Mesazhi i drejtoreshës shton: “Kujtoni nxënësit për nesër që duhet të parapërgatiten në orën 10.45. Nxënësit do shoqërohen edhe nga mësuesit. Natën e mirë!”
Mësuesit janë udhëzuar të mos mungojnë dhe të mos përgjigjen në grup, duke u kufizuar mundësia për të shprehur pakënaqësi.
Mësuesja denoncuese shprehet e revoltuar: “Pse duhet unë nesër të dal në punë kur e kam pushim me ligj? S’kemi ku ta gjejmë të drejtën se fluturojmë nga puna.”
Sipas saj, drejtoresha po shkel hapur ligjin duke i detyruar mësuesit të angazhohen në aktivitete politike, diçka që është rreptësisht e ndaluar për punonjësit e arsimit.
Skandali merr përmasa edhe më të mëdha kur marrim parasysh që zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 11 maj 2025, dhe ky aktivitet duket qartë si një përpjekje për të përfshirë institucionet arsimore në fushatë politike. Përdorimi i nxënësve dhe mësuesve në këto aktivitete është jo vetëm i paligjshëm, por edhe një shkelje e rëndë e etikës profesionale dhe e të drejtave të tyre, veçanërisht gjatë një dite pushimi zyrtar si Pashkët.
Ky denoncim ngre pikëpyetje serioze mbi autonominë e shkollave, përdorimin e nxënësve në aktivitete politike dhe presionin ndaj mësuesve. Është e papranueshme që institucionet arsimore të përdoren për qëllime politike, sidomos duke detyruar mësuesit dhe nxënësit të marrin pjesë në aktivitete gjatë ditëve të pushimit zyrtar.