Një situatë paniku u regjistrua mesditën e sotme në bulevardin “Zhan D’ark” në Tiranë, kur një autobus i linjës së unazës “Green Line” u përfshi papritur nga flakët, gjatë lëvizjes së tij pranë Ministrisë së Jashtme.
Sipas të dhënave paraprake nga Policia e Tiranës, dyshohet se zjarri ka ardhur si pasojë e një defekti teknik në motor, ndërsa autobusi ishte i mbushur me pasagjerë. Të alarmuar, qytetarët kanë dalë me shpejtësi nga mjeti dhe fatmirësisht nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur fikjen e flakëve, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.