Një rrokaqiell 47-katësh do të ndërtohet përballë ambasadës amerikane, aty ku dikur ka qenë ambasada franceze. Ky projekt, i miratuar në fund të janarit, do të realizohet nga kompania “Hanxhari Group”, e drejtuar nga Adjon Hanxhari, djali i ndërtuesit të njohur Fatmir Hanxhari.
“Embassy Tower” do të ketë një fasadë xhami dhe një formë drejtkëndëshi, duke shtuar një tjetër qiellgërvishtëse në zemrën e Tiranës.
Nëse kostoja e këtij rrokaqielli arrin mbi 100 milionë euro, pyetja që lind është nëse kompania “Hanxhari Group”, e cila regjistroi vitin e kaluar një xhiro prej 2.35 milionë euro dhe një fitim neto prej vetëm 110 mijë euro, mund të financojë një investim kaq të madh. Me asete prej 11.9 milionë euro, por detyrime që përbëjnë shumicën e vlerës, dhe një kapital të vetë kompanisë prej vetëm 230 mijë euro, ky projekt duket i parealizueshëm.
Ndërsa bankat kanë filluar të jenë të kujdesshme në kreditimin e kullave të larta, shumë ndërtues shpresojnë në financimin e tyre përmes shitjeve në ajër. Por nuk mungojnë edhe rastet kur financimet vijnë nga burime të paqarta. Ose në raste të tjera, pas ndërtuesve që marrin lejet në letër qëndrojnë të tjerë persona të fshehtë. Kush fshihet pas këtij investimi dhe si mund të realizohet një projekt kaq ambicioz nga një kompani me kapital të kufizuar?!