Ky është shqiptari që u vra në Itali, dyshohet për “larje hesapesh”

Është zbardhur identiteti i 40-vjeçarit shqiptar, i cili u vra me thikë mbrëmjen e 25 nëntorit në Marghera (komunë e Venecia) të Italisë, në afërsi të stacionit të Mestres. Mediat vendase raportojnë se viktima është shtetasi Van Koxha, teksa dyshohet se vrasja ka ndodhur për larje hesapesh. Në momentin e krimit, ai ndodhej bashkë me të vëllain, i cili po ashtu u plagos dhe është dërguar në spital, por nuk është në rrezik për jetën.

Krimi ndodhi në një nga të ashtuquajturat “zonat e trafikut të drogës” të Marghera , në një zonë shpeshherë skenë e episodeve të dhunshme dhe denoncimeve të vazhdueshme nga banorët në polici për shkak të situatave të degradimit, por në këtë rast, sipas hetuesve, ishte një larje hesapesh mes bandave që kontrollojnë lojërat me kuti, me të cilat mashtrohen çdo ditë sidomos turistët. Një “lojë” që fiton shuma të mëdha për ata që e kontrollojnë.

Dy shtetas moldavë janë arrestuar mbrëmjen e së hënës, njëri për vrasjen, tjetri për sherrin ku thuhet se kanë marrë pjesë tetë persona të tjerë. Hetuesit nuk kanë dyshime për identitetin e vrasësit, i cili gjithashtu u filmua nga kamerat e sigurisë. Një person u plagos gjithashtu në frontin e rivalëve të shqiptarit.

Policia vendase e cila ka mbërritur e para në vendngjarje me disa patrulla po heton për vrasjen. Sipas një rikonstruksioni fillestar, Koxha ishte bashkuar me vëllain e tij që jeton në Veneto. 40-vjeçari ishte larguar nga Porto Sant’Elpidio pas skadimit të masës së arrestit shtëpiak të dhënë nga gjyqtari hetues i gjykatës Fermo për çështje që lidhen me trafikun e drogës.