Vrasja e Martin Canit, del procesverbali: 5 persona të përfshirë në sherr

Nënkryetari i PD Flamur Noka ka publikuar një dokument në rrjetet sociale për të cilin pretendon se është procesverbali i parë nga oficeri i policisë gjyqësore për vrasjen e Martin Canit, ku thuhet se në ngjarje ishin 5 persona të përfshirë.

Noka akuzon Policinë e Shtetit se po “fsheh krime aty ku të përfshirë janë patronazhistët e Ramës dhe familjarë e fijet e narkoshtetit”.

“Ja prova! Ja prova e dokumentuar që vrasësi i Martin Canit nuk ishte vetëm. Kupola e Policisë së Shtetit fsheh krime aty ku të përfshirë janë patronazhistët e Ramës dhe familjarë e fijet e narkoshtetit. Kupola blu është de facto një bandë me uniformë. Policë që vrasin, policë që dekonspirojnë, që fshehin e mbulojnë llumin me pushtet.

Rasti i implikimit në krim nga ana e kupolës së policisë u përsërit. Njëlloj si pak vite më parë kur ish Drejtori i Përgjithshëm Ard Veliu dhe policia u përfshinë në prishjen e provave të vrasjes së Klodian Rashës, edhe tani Drejtori i Përgjithshëm Proda dhe ai i Qarkut Tiranë, Elton Alushi, u përfshinë në prishjen e provave te vrasjes së djaloshit Martin Cani dhe në fshehjen e bashkëpunëtorit në vrasje”, shkruan Noka bashkëngjitur dokumentit.

Ndërkohë, ditën e diel, policia doli me një deklaratë duke thënë se, “nga hetimet e deritanishme nuk implikohet një autor i dytë i përfshirë në këtë ngjarje”, sipas policisë.