Në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një apel për ndihmë, ku bëhet fjalë për jetën e një babai të pesë fëmijëve, i cili është në gjendje kritike për shkak të një sëmundjeje të rëndë të mëlçisë.
Lindon Dedvukaj është babai i pesë fëmijëve të mitur, të moshave 1, 3, 5, 7 dhe 12 vjeç, dhe bashkëshorti i Julianës. Ai ka nevojë urgjente për një transplant të mëlçisë, por përballja me kostot e mëdha mjekësore ka bërë që familja e tij të kërkojë ndihmë nga zemërgjerësia e njerëzve.
Për shkak të statusit të tij si jo-shtetas në Finlandë, Lindoni nuk ka mbulim të plotë nga sistemi shëndetësor. Shpenzimet totale për transplantin dhe kujdesin mjekësor arrijnë në 120,000 euro.
Familjarët e tij kanë hapur një faqe në GoFundMe për të mbledhur fondet e nevojshme.
Në një apel të publikuar në GoFundMe, ata shkruajnë:
“Çdo kontribut, sado i vogël, mund të bëjë një ndryshim të madh në betejën e Lindonit për jetën dhe për të ardhmen e familjes së tij. Së bashku, mund t’i japim Lindonit shansin të vazhdojë të jetë babai dhe bashkëshorti që familja e tij ka nevojë.”
Kushdo që ka mundësi dhe dëshirë për të ndihmuar këtë familje të kapërcejë këtë sfidë të madhe, mund të kontribuojë në linkun e GoFundMe.