Policja e dehur në Korçë shkakton aksident, arrestohet nga kolegët

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar një punonjëse të policisë nga Komisariati i Korçës, e cila shërben në sektorin e policisë së rendit. Sipas burimeve pranë AMP, shtetasja L.L., në gjendje të dehur, ka dalë nga rruga duke shkaktuar një aksident dhe është përplasur me një shtyllë.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. Me të mbërritur në vendngjarje policia ka kryer procedurat e nevojshme, dhe gjatë hetimeve u zbulua se punonjësja e policisë, jashtë shërbimit dhe me mjetin e saj privat, ishte në gjendje të dehur, me një nivel alkooli mbi normat e lejuara.

Kolegët e efektives kanë bërë të mundur arrestimin e saj, ndërkohë që materialet u referuan në prokurori për veprime të mëtejshme.