U kërcënua nga Ervis Martinaj, ish shefi i “Shqiponjave” rikthehet në detyrë me post drejtori

Ish-shefi i “Shqiponjave” në Policinë e Shtetit, Engjëllush Avdulaj, me një karrierë 25-vjeçare në radhët policisë, është rikthyer në punë pas largimin si pasojë e kërcënimeve nga Ervis Martinaj.

Engjëllush Avdulaj do të mbajë postin e drejtorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Sarandë.

Kujtojmë se shkak i kërcënimeve të tij ishin kontrollet në bizneset e lojrave të fatit të Martinajt. Përplasja ndodhi në tetor të vitit 2013, ku sapo kishte nisur operacioni “Fundi i Marrëzisë” dhe policia kishte bllokuar makineri të lojërave të fatit, gjë që kishte shqetësuar Ervis Martinajn.

Më 20 tetor të vitit 2013, në kulmin e operacionit “Fundi i Marrëzisë”, kundër lojërave të paligjshme të fatit, Ervis Martinaj kërcënoi shefin e repartit special “Shqiponja” në drejtorinë e policisë së Tiranës, Engjëllush Avdulaj, se do ta vriste.

Avdylaj ka filluar punën si inspektor i policisë kriminale, teksa ka mbajtur detyra të ndryshme si shef seksioni i rendit, shef sektori, komandant nën/reparti, komandant reparti me forcat speciale e ndërhyrjes së shpejtë, shef i repartit Shqiponja Tiranë, shef komisariati, drejtor i paraburgimit Vlorë.

Prej gati tre vitesh, Ervis Martinaj konsiderohet i zhdukur, ndërsa fati i tij mbetet mister. Në media ka pasur spekulime se ai mund të jetë vrarë, teksa autoritetet kanë zhvilluar edhe kërkime për trupin e tij por pa rezultat.Voxnews