Atentati në Shkodër/ Trondisin detajet e reja, dyshohet për vrasës me pagesë nga Mali i Zi, një person i 3-të…

Policia e Shkodrës është rikthyer sërish në skenën e krimit ku një ditë më parë, (30 tetor 2024), u vranë në një atentat mafioz Hamza Lici, Arlind Bushati dhe një kalimtare e rastit, Flutura Basha. Deri tani, Policia e Shkodrës ka sekuestruar kamerat e sigurisë, ndërkohë që ka marrë në vëzhgim edhe automjetin e djegur në fshatin Golem.

Në makinë ishin 3

Policia e Shkodrës dyshon se në makinën e viktimave kanë qenë 3 persona, kjo pasi u gjetën 3 pistoleta. Bëhet fjalë për një person që është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes por është filmuar nga kamera amatore, ndërkohë policia ka gjetur gjumë gjaku të cilat janë dërguar për ekspertim në laboratorin kriminalistik. Ai eshtë i veshur me bluzë, xhaketë dhe pantallona të zeza ndërsa duart i ka me gjak dhe në ball ka gjurmë gjaku. Hetuesit po punojnë për ta identifikuar dhe lokalizuar.

Atentatorët dyshohen nga Mali i Zi

Ndërkohë dyshohet se ekzekutimi është kryer nga vrasës me pagesë, që mendohen se janë djem në moshe të re të ardhur nga Mali i Zi. Sipas hetuesve, dy janë qitës, i treti shofer dhe një i katërt mendohet se i priti në rrethina, ku vrasësit u arratisën pasi dogjën makinën “Range Rover”. Pista kryesore është ajo e hakmarrjes mes bandave, pasi njihet armiqësia disa vjeçare mes Liceve dhe Bajrave.

Merret në pyetje fisi Bajri

Por 24-orë pas krimit, Policia e Shkodrës nuk ka identifikuar atentatorët dhe as porositësit. Rreth 20 persona u morën në pyetje dhe me pas u lanë të lirë, mes tyre janë dhe Safet Bajri, Ilir dhe Enver Bajri dhe nipa të tyre. Në deklarime para hetuesve Safet Bajri pretendoi se në kohën e atentatit ka qenë me familjen në shtëpi, e kjo mund të vërtetohet nga kamerat e sigurisë që e survejojnë 24 orë. As dëshmitaret në vendngjarje nuk ndihmuan grupin hetimor në zbardhjen e detajeve.

Makina e Licit hyri pak ditë më parë nga Mali i Zi

Burimet thanë se makina e viktimave tip “Mercedes Benz S Class” rezulton se ka hyrë pak ditë më parë në Shqipëri nga Mali i Zi, ndërsa është parë duke lëvizur në Dobraç, disa ditë para se Hamza Licin e Arlind Bushati të binin në pritë.

Ndërsa makina e atentatorëve u gjet plotësisht e shkrumbuar, aq sa hetuesit nuk mund të lexojnë numrin e shasisë dhe targat. Megjithatë, po ekspertohet, me shpresën se mund të rikuperohet ndonjë e dhënë me rëndësi.

Në vendngjarje, një ditë pas masakrës, policia po has vështirësi në sigurimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë. Në zonën e Dobraçit ka pak kamera sigurie në rrugë apo biznese, një pjesë e tyre të koduara.

Si ndodhi atentati

Ka qenë ora 15: 50 minuta e 30 tetorit 2024 kur makina e viktimave, e cila drejtohej nga 23-vjecari Hamza Lici dhe pasagjer Arlind Bushati 32-vjeç, po lëvizte në zonën që konsiderohet “bastion” i fisit të Bajrave në Dobraç. Atentatorët i dolën paralel në të majtë dhe nisën breshërinë e plumbave, e cila rezultoi fatale për ta.

Edhe Arlindi qelloi

Arlind Bushati u kundërpërgjigj me zjarr, por pa mundur të mbrohet. Breshëria e plumbave ka vijuar për dhjetëra metra në lëvizje, derisa makina e viktimave humbi kontrollin, përplasi motoçikletën e bashkëshortëve Basha dhe përfundoi në murin rrethues të një servisi. 56-vjeçarja Flutura Basha mbeti viktimë e pafajshme ndërsa i shoqi, Bashkim Basha 67 vjeç është në gjendje të rëndë.