“E ndoqi dhe e qëlloi në gjoks”, zbardhen detaje nga vrasja e shqiptarit në Itali

Dritan Hakaj, një shqiptar 45-vjeçar, u qëllua për vdekje nga fqinji i tij 78-vjeçar, Valter Budri, në një incident të ndodhur në Itali dy ditë më parë. Sipas raportimeve, Budri kishte dyshime se Hakaj kishte një marrëdhënie me bashkëshorten e tij. Të dy burrat kishin pasur konflikte të mëparshme, për të cilat kishte ndërhyrë edhe policia.

Dëshmitarët treguan se ata u zgjuan nga zhurmat , duke menduar fillimisht se ishin fishekzjarre. Një fqinj përshkroi momentin kur dëgjoi të shtëna armësh dhe u shqetësua për situatën.

“Unë dhe gruaja ime u zgjuam sepse dëgjuam zhurmë. Në fillim menduam se ishin fishekzjarre të hedhura nga fëmijët, por më pas kuptova se dikush po qëllonte me armë nëpër shkallë. U tremba”, thotë fqinji i të moshuarit.

Sipas mediave italiane, Dritan Hakaj kishte precedentë të mëparshëm për krime të ndryshme, përfshirë drogën dhe prostitucionin. Ai kishte frekuentuar rregullisht shtëpinë e Budrit, pavarësisht se pensionisti kishte tentuar ta ndalonte atë.

Ngjarja ndodhi rreth orës tre të mëngjesit, kur Hakaj, i dehur, hyri në shtëpinë e Budrit dhe e sulmoi gruan në prani të djalit të saj njëmbëdhjetëvjeçar. Ëalter Budri, duke dëgjuar britmat, u përpoq të mbrojë gruan e tij dhe e kërcënoi Hakajn me një armë që e kishte të paligjshme.

Pavarësisht se Hakaj u largua, Budri e ndoqi dhe e qëlloi një herë në gjoks, duke i shkaktuar vdekjen në vend. 78-vjeçari u arrestua dhe ndodhet në burgun e San Vittore duke pritur seancën e tij gjyqësore.