Një ngjarje e rëndë ka tronditur Greqinë, ku një 50-vjeçare nga Shqipëria është arrestuar për vrasjen e një 84-vjeçareje.
Gjatë marrjes në pyetje, e arrestuara shqiptare përsëriti vazhdimisht se kishte probleme shëndetësore dhe kërkonte të lihej e lirë duke pretenduar se nuk kishte lidhje me krimin.
“Kam probleme shëndetësore, kam pasur goditje në tru, më lini”.
Sipas raportimeve, hetuesit kanë siguruar prova të shumta që e implikojnë gruan në krim. Ajo u pa në kamera duke hyrë në shtëpinë e të moshuarës ditën e vrasjes dhe duke dalë rreth dy orë më vonë. Megjithatë, ajo dha versione të ndryshme për orarin e vizitës.
“Atë ditë shkova në shtëpinë e saj, por nuk bëra asgjë. U ula për pak dhe u largova. nuk kam lidhje. Kam probleme shëndetësore, më lini”.
Një tjetër element shqetësues është deklarata e bashkëshortit të saj, i cili ka pohuar se gruaja e tij kishte pësuar goditje në tru një ditë pas ngjarjes, duke ngritur dyshime mbi qëndrueshmërinë e saj.
Policia gjithashtu gjeti gjurmë gjaku dhe këpucë në vendngjarje, por e arrestuara nuk arriti të identifikonte këpucët që kishte veshur atë ditë.
Ngjarja u zbulua kur autoritetet u njoftuan më 12 tetor për mungesën e 84-vjeçares. Kur policia mbërriti në vendngjarje, ajo u gjet e vdekur, me shenja të dukshme dhune. Hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.