“Kledioni ka goditur me grushte Martinin dhe Luisin, me Marion është larguar me Taxi”

ak ditë më parë, Policia e Shtetit u indinjua nga një deklaratë e Fiqiri Meçit, i cili denoncoi rolin e një autori të dytë në vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani dhe plagosjen e djalit të tij Luis Meçi.

Duke marrë shkas nga ky denoncim, por edhe referuar proces verbalit të mbajtur nga oficeri i policisë ditën e ngjarjes, u zbulua se në sherrin mes të miturve ka marrë pjesë edhe 14-vjeçari Kledion Bejkaj. JOQ zbuloi se i mituri është djali i Maksim Bejkajt, hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), dhe Nevila Bejkajt, Specialiste e Regjistrave dhe Statistikës pranë Prokurorisë së Posaçme dhe kjo është arsyeja pse emri tij ka mbetur në hije për këtë ngjarje.

Sërish pas këtyre lajmeve, Policia e Shtetit nxitoi të përgënjeshtronte gjithçka duke thënë se në vrasjen e Martinit ka vetëm 1 autor dhe ai është Mario Prelleshaj. Ndërsa për Kledionin, djalin e zyrtarit të BKH-së u mjaftua me deklaratën: “Nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit’.

Por gazetarja Aida Topalli, e cila ka parë pamjet e kësaj ngjarje të rëndë jep detaje të reja për sherrin, viktimën, autorin dhe rolin e shokut të tij. Ajo ka treguar gjatë një interviste televizive se Kledjon Bejkaj ka qëlluar me grushte si në drejtim të Luisit, ashtu edhe në drejtim të viktimës, Martin Cani. Sipas saj, Kledioni ka tentuar të ngrejë Martinin dha ta largojë nga shoku i tij Mario dhe brenda pak sekondash janë larguar me një taksi që kishin porositur.

Ajo tha se të miturit kanë ikur në spitalin privat ku mori trajtim mjekësor Mario dhe foton me dorën e gjakosur dyshohet ta ketë bërë Kledioni.

“Grupi i viktimës dhe i autorit janë të gjithë bashkë. Ata duken teksa dalin nga rrugica e shkollës Fan Noli dhe drejtohen për pas godinës me ngjyra që është në anë të shkollës. Ka patur një sherr fillimisht me grushte. Gjë që ka bërë që viktima të hedh përtokë autorin e kësaj ngjarjeje, Mario Përlleshin, i cili ka qenë i pajisur me thikë dhe nga poshtë ka qëlluar viktimën. Personi i dytë që flitet si autor i kësaj ngjarjeje të rëndë, Kledjon Bejkaj ka qëlluar me grushte si në drejtim të Luisit, ashtu edhe në drejtim të viktimës, Martin Cani. Ai ka tentuar ta ngrejë Martin Canin dhe ta largojë nga shoku i tij. Pa e ditur që shoku, (ose këtë pastaj pa e ditur apo duke e ditur këtë, hajde ta caktojë grupi hetimor) pa e ditur që ka patur përdorimin e thikës në atë moment me qëllim që të ndihmonte shokun e tij, meqenëse fizikisht Martin Cani ishte më i madh se sa Mario. Menjëherë pas kësaj grupi i Marios, por edhe një pjesë e mirë e djemve me të cilët shoqërohej Martini, sepse bëhet fjalë për 9 adoleshentë, 9 persona, më i madhi, prej të cilëve është 15 vjeç, largohen nga vendi i ngjarjes dhe vihet re në pamje dhe Mario Përlleshi duke çaluar, i cili më pas i së bashku me shokun e tij kanë porositur një taksi dhe janë larguar dhe kanë shkuar në drejtim të një spitali privat”, rrëfen ajo.

Përsa i përket autorit të dytë, gazetarja e kronikës tha se:

“Ka pasur një përleshje edhe mes autorit dhe personit të dytë të plagosur (Luis Meçja). Të paktën në video nuk duket që djali që është etiketuar si posedues i një thike, të ketë një thikë. Pra kur largohet nuk ka një thikë të dytë as në vendin e ngjarjes nuk është gjetur një thikë e dytë, megjithatë do doja të mos flisja pa tjetër me bindje të plotë, sepse asnjëherë nuk dihet. Nuk doja kurrsesi që të lëndoja asnjë nga familjet e përfshira në këtë konflikt”.