Artur Karati, një 55-vjeçar nga Përmeti, është ndaluar nga policia e Tiranës pasi ka përdorur një profil fals në Instagram për të mashtruar qytetarët dhe për të përfituar shuma parash. Ai përdorte fotografinë e një të mituri të sëmurë dhe pretendonte se paratë do të shkonin për kurimin e tij.
Në kuadër të operacionit “Fraud”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Seksionit të Forcës së Posaçme Operacionale zbuluan aktivitetin e tij mashtrues. Gjatë hetimeve, janë dokumentuar 117 transaksione bankare, të cilat janë realizuar nga shtetas shqiptarë që ishin mashtruar nga ky profil fals.
Përveç Karatit, janë proceduar penalisht edhe dy shtetas të tjerë: S. K., 42 vjeç dhe B. I., 47 vjeç, të cilët janë lënë në gjendje të lirë. Ndërkohë, policia po punon për të identifikuar dhe ndaluar edhe individë të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë mashtrim. Materialet e hetimit janë dërguar në Prokurori për veprime të mëtejshme.