500 € për një provim/ Lihen të lirë pedagogët e Universitetit të Elbasanit, rikthehen në detyrë

Gjykata e Posaçme ka liruar nga masa e sigurisë “detyrim paraqitje” 6 pedagogët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, të cilët u arrestuan pak kohë më parë nën akuzën e korrupsionit.

Ky vendim ka ardhur pas një vendimi të mëparshëm nga Gjykata e Elbasanit, e cila kishte vendosur masën “pezullim nga detyra” për ta dhe kishte konsideruar arrestimin e tyre si të paligjshëm. Me vendimin e Gjykatës së Posaçme, këta pedagogë do të kthehen në detyrat e tyre edhe pse hetimet zbuluan se ata merrnin nga 500 euro për provimet e studentëve.

Ndërkohë, personi që luante rolin e sekserit, si dhe bashkëshortja e tij, mbeten në masa arresti dhe pezullimi nga detyra.

Sipas Prokurorisë pedagogët kanë shpërdoruar detyrën, duke kaluar në mënyrë të parregullt në provime një studente 31 vjeçe, me qëllim për të përfituar shuma parash të cilat i ka marrë sekseri, Gazmend Hodaj.

Nga kontrolli në zyrat e pedagogëve u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe tezat e provimeve të studentes dhe dokumenta të tjera në lidhje me rastin korruptiv. Gjatë operacionit policor “Teza” që u zhvillua në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe Edukimit në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, u vunë në pranga:

1-Ornela Bilali, Lënda: Arti dhe krijimtaria në fëmijërinë e hershme. 2. Zyhra Gripshi, Lënda: Puna me familjen dhe komunitetin. 3. Adrian Shingjergji, Lënda: Edukimi motorrik dhe lojërat lëvizore. 4. Beatriçe Gani, Lënda: Të mësuarit nëpërmjet lojës. 5. Edlira Gugu, Lënda: Letërsi për fëmijë. 6. Florinda Tarusha, Lënda: Filozofi e edukimit. 7. Monika Hodaj, Lënda: Edukim gjinor ne fëmijërinë e hershme. 8- Gazmend Hodaj, sekser.