“Mamin e falenderoj për gjithçka që ka bërë për ne dhe e dua shumë.”
Këto janë fjalët e një vajzë të vogël që prej 4 vitesh, ende sot e kësaj dite qan për babain e ndjerë. Një jastëk ku është stampuar portreti i babait, është përherë pranë krahëve të Irinës së vogël.
Jeta nuk ka qenë e drejtë për këtë vajzë të pafajshme, njëlloj si edhe për dy vëllezërit e saj. Tre të miturit jetojnë me qira në Librazhd së bashku me nënën e gjyshen e moshuar. Donika ka kaluar vështirësitë më të jashtëzakonshme, me tragjedi që duket se nuk kanë patur të mbaruar.
E para sprovë e rënd ishte vdekja e të shoqit. Një sëmundje e rëndë në kokë ia mori jetën Blearit në moshën 36 vjeçare. Pas të shoqit, Donika mori fëmijët e saj me qëllim për t’i shkolluar në qytet, duke u larguar nga banesa e prindërve të Blearit. Shkoi të jetojë me babain e nënën. E në këtë kotë, tragjedia troket sërish. Babai i Donikës sëmuret rëndë dhe humb jetën.
Ajo që ndodh më pas, është një ngjarje që fatmirësisht nuk u përmbyll në tragjedi, sepse mbase do ishte i fundit gur që do ta shkatërronte ngrehinën e kësaj familje. Nëna e jetimëve pëson një goditje në tru. Një venë i çahet në kokë. Donika niset me urgjencë në spital.
Fatmirësisht, ajo shpëton. Shumë pak kujton nga ato momente, por në mesin e humbëtirës, kujton një ëndërr që ka parë, me babain dhe të shoqin.