Si nisi konflikti mes Rudina Dembacajt me ish-bashkëshortin pas divorcit! Sherri mes ish-çiftit për shtëpinë dhe kujdestarinë e vajzës, përplasja në dyert e gjykatës

Ish-bashkëshorti i aktores Rudina Dembacaj, Aleksandër Varfaj, i është përgjigjur një deklarate të ish-gruas së tij, ku në fokus ka qenë çështja e fëmijës së tyre. Përgjigjja e tij erdhi pasi Rudina foli për divorcin që ishte temë e programit që ajo moderon dhe akuzoi ish-burrin se fsheh të ardhurat, duke mos dhënë sa i takon në bazë të tyre, pagesë për vajzën e tyre Viktoria.

Ndërkohë ish-partneri i aktores ka reaguar lidhur me këtë deklaratë duke u ndalur në dy momente, së pari, pengesa për t’i depozituar ish-gruas paratë e përmuajshme në llogarinë bankare dhe së dyti, pamundësia për të takuar të bijën. Ai thotë se ka gati 3 vite që nuk takon të bijën për shkak të aktores dhe e akuzon se ajo nuk i ka dhënë në kohë llogarinë bankare të së bijës për të bërë depozitimin.

“Bën sikur harron, besoj se llogarinë ma ke dhënë pas nuk e di sa kërkesash nga ana ime, që të isha në rregull me shtetin, se ato pagesat që bëja unë, kur të mori OPGJ në tel, i the ‘nuk ka paguar gjë’. Dhe justifikimi yt ishte ‘pse ça do thosha unë, qe i ke paguar’?”, shkruan ai në një reagim të gjatë në rrjetet sociale.

Por veç konfliktit për vajzën, çifti ka edhe një gjyq tjetër, këtë herë për shtëpinë, ku çifti jetonte pasi u martua. Edhe për këtë temë, vetë Aleksandri e ceku disi në postimin e tij. Çifti ka gati 3 vite që është në një tjetër proces gjyqësor, pasi aktorja kërkon që të marrë shtëpinë, që dyshja jetonte. Vetë ish-bashkëshorti ka bërë me dije, se banesa është e tija dhe se nuk i takon asgjë ish-gruas, por aktorja ka insistuar në kërkesat e saj dhe gjyqi është ende në proces, duke ndezur edhe një tjetër konflikt mes ish-çiftit.

Duket se sherri për shtëpinë, ka çuar edhe në prishjen e raportit të mirë, që ata kishin për hir të vajzës së tyre. Kujtojmë që pas ndarjes, Rudina dhe Aleksi shiheshin shpesh nën shoqërinë e njëri-tjetrit, për hir të Viktorias, por konflikti për pronën ka bërë që ata të prishin këtë marrëdhënie duke u ndeshur dyerve të gjykatës, me një përballje jo vetëm për kujdestarinë, por edhe për shtëpinë. Vetë aktorja kur foli për divorcin e saj, nuk e fshehu aspak pakënaqësinë që kishte me ish-burrin.

“Baballarët shqiptarë duan të drejta të njëjta me nënën pas divorcit, por jo detyrime të barabarta. Sipas ligjit është 150 mijë lekë të vjetra në muaj për fëmijën, por në kohën e sotme janë të pamjaftueshme. Unë kam zgjedhur t’i hap një llogari vajzës sime dhe t’i ketë ato para kur të rritet. Sa përmendet rritje e pensionit, pala tjetër gjen justifikime, duke fshehur të ardhurat, duke treguar se nuk ka mundësi dhe rëndon gjithë situatën. Ajo që është edhe më e rëndë është se ai fëmijë, duhet të presë pafund që t’i vijë data e gjyqit sepse nuk ka i merr përsipër gjykata çështjet aq shpejt. Dhe një fëmijë që të shkojë të takojë njerëzit e vetë, duhet të presë dhe gjykata për time bijë është shumë e njohur. Prindërit shqiptarë nuk e dinë se çfarë i shkaktojnë këtij fëmije duke hequr dorë nga detyrime dhe duke aluduar se reagimi i fëmijës vjen si pasojë e ndikimit të nënës”, tha ajo.

Një vit më parë, aktorja e njohur, Rudina Dembacaj, është dënuar me 6 muaj burg nga Gjykata e Apelit, por që i është konvertuar në 80 orë shërbim prove. Dënimi i është konvertuar pasi Gjykata, për shkak të rrezikshmërisë së ulët dhe dënimit nën 1 vit burg, ka vendosur ta vuajë jashtë dënimin e saj.

Dembacaj është dënuar pasi u kallëzua penalisht nga ish-bashkëshorti i saj Aleksandër Varfaj, pasi kishte nxjerrë vajzën e tyre jashtë vendit duke falsifikuar prokurën. Prokura, e cila duhet të ishte firmosur edhe nga i ati i vajzës, është falsifikuar, ndaj e bija ka dalë jashtë kufirit të vendit, pa dijeninë e të atit.