“Nuk kishte ndodhur ndonjëherë”, Rrapo Ormëni për tërmetin e 26 Nëntorit: Sinjali u dha 2 muaj para

Si sot para 5 viteve vendi ynë u godit nga një tërmet i fuqishëm i cili u mori jetën 51 personave dhe shembi shtëpitë e qindra të tjerëve. I ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan profesor Rrapo Ormëni prezantoi librin e tij i cili në bazë të studimeve të fushës së sizmologjisë tregon faktorët e tërmeteve dhe sa e rrezikuar është Shqipëria nga lëvizjet e pllakave tektonike.

Gjatë fjalës tij ai sqaroi se tërmeti i 26 Nëntorit pati një para tërmet, rast i shënuar për herë të parë në vendin tonë, pasi ky para tërmet nuk ndodhi, as dy ditë e as dy orë para tërmetit të fuqishëm, por ekzaktësisht para 2 muajsh.

Bëhet fjalë pikërisht për tërmetin e 21 Shtatorit të vitit 2019. Ai ishte një “sinjal” që pasoi tërmetin e fuqishëm të 26 Nëntorit, që solli tragjedi.
Rudina Magjistari: Si është i ndërtuar ky libër për të dalë sërish tek analiza e tërmetit të 26 Nëntorit. Si është struktura e këtij libri?

Rrapo Ormëni: Libri është i ndarë në 7 kapituj dhe kapitulli i parë është specifik pasi analizon këtë tërmet i cili kishte një tërmet tjetër pararendës, më 21 Shtator që ishte më një magnitudë të konsiderueshme, 5.8 dhe është një rast i veçantë.

Rudina Magjistari: Mendon se janë ngjarje të lidhura?

Rrapo Ormëni: Po janë ngjarje të lidhura, ai është një paragoditje.

Rudina Magjistari: Pra tërmeti i 21 Shtatorit quhet paragoditje në rastin e tërmetit të 26 Nëntorit.

Rrapo Ormëni: Pikërisht për këtë bëhet një analizë e plotë e kësaj paragoditje dhe si ajo e sforcoi. Sepse tërmeti i Shtatorit ishte i fortë dhe për ndjeshmërinë, pati dhe dëme. Por nuk arriti që ta bëjë thyerjen e plotë dhe duke mos u bërë këputja e plotë, atëherë nuk u arrit ekuilibri dhe ai i dha sforcim në atë zonë tektonike. I dha sforcim dhe arriti që pas 2 muajsh të çlirohej në formën e një tërmeti.

Rudina Magjistari: Sepse ne kur themi paragoditje ose të paktën në dijeninë që kemi akumuluar gjatë kësaj periudhe dhe gjatë eksperiencave të tërmetit, paragoditje kemi quajtur disa shenja lëkundjeje tërmeti, thjesht disa orë para se të ndodhë goditja e madhe. Pra në një interval kohor shumë më të ngushtë, ndërkohë që konsiderohet dhe 21 Shtatori si paragoditje e tërmetit të 26 Nëntorit, edhe pse ka gjithë këtë distancë.

Rrapo Ormëni: Po edhe pse ka gjithë këtë distancë, për arsye sepse nuk ishte goditje kryesore.

Rudina Magjistari: Ky ishte një rast i ri?
Rrapo Ormëni: Po ky ishte një rast i veçantë dhe për sizmologët në Shqipëri, që nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Por ka tërmete të tillë që kanë dy goditje kryesore./tvklan.al