Nikolin Nika, shqiptari i vrarë në rrugë me tre goditje në qafë, baba i dy fëmijëve

Nikolin Nika është 42-vjeçari shqiptar që u vra me thikë pasditen e djeshme në Val Nure, Bettola, Itali.

Sipas mediave italiane, pak para orës 18:00, shqiptari është përballur në rrugë me vrasësin e tij, një bashkatdhetar i cili e ka goditur 3 herë me thikë në qafë, teksa ndodheshin në sheshin e vogël ku ndodhet monumenti i emigrantëve. Sulmi duket se ka ndodhur në kulmin e një debati , i cili kishte nisur disa orë më parë, ndoshta për shkak të mosmarrëveshjeve të vjetra, por motivi është ende nën hetim. Menjëherë pas sulmit, autori është larguar, duke e lënë Nikolin Nikën në një pellg gjaku në trotuar përballë një lokali.

Kur mbërritën mjekët e ndihmës së shpejtë, shqiptari ishte ende gjallë, por ai vdiq pak pas në krahët e tyre. Karabinierët së bashku me policët e Njësisë së Hetimit të Piacenzës, nisën hetimet duke dëgjuar dëshmitarët dhe duke analizuar pamjet e kamerave të vëzhgimit të pranishme në zonë.

Thika e përdorur në krim nuk është gjetur ende edhe pse policia kontrolloi të gjithë zonën, madje edhe pusetat. Në mbrëmje, hetuesit identifikuan sulmuesin e dyshuar, një 62-vjeçar, në shtëpinë e tij, jo shumë larg vendit të krimit.

Shqiptari u dërgua në policinë e Piacenzës për një marrje të gjatë në pyetje, në përfundim të së cilës u arrestua në flagrancë me akuzën e vrasjes me dashje dhe u transferua në burgun Novate, në pritje të kërkesës për vërtetimin e arrestit.

Nikolin Nika punonte në një firmë si druvar, ai ka lënë pas gruan dhe dy fëmijët, njëri nëntë vjeç dhe tjetri i lindur më pak se një vit më parë.