Luisi flet për herë të parë nga spitali: Shkova të mbroj Martinin, por dikush më kapi. Mario më drejtoi thikën për në zemër! Më qëlloi 6 herë

TIRANË- Shoku i të ndjerit Martin Canit ka folur për herë të parë për mediat. 14-vjeçari, Luisi i cili mbeti i plagosur nga ngjarja e rëndë të ndodhur pranë shkollës “Fan Noli” ka dhënë një intervistë në Euronews Albania.

I mituri tha se në vendngjarje ka pasur edhe persona të tjerë. Sipas tij në momentin që Martini u vra nga bashkëmoshatari i tij të pranishëm kanë qenë edhe dy persona të tjerë.

Luisi u shpreh se shoku i Marios, një djalë me flokë të gjata e goditi pas shpine dhe më pas ai e goditi atë.

Më pas 14-vjeçari shtoi se kur u kthye shikoi Marion i cili nxorri thikën dhe po godiste Martinin në zemër.

Sipas tij ai u nis ta mbronte atë po një burrë e kapi atë dhe e ngriti në ajër. Ai theksoi se autori kishte tentuar të godiste edhe atë në zemër po ai ishte vetëmbrojtur duke vendosur duart përpara.

“Nga ai moment mbaj mend që shoku i Marjos, një djal me flokë të gjata më goditi pas shpine. U ktheva, e godita. Kur u ktheva përsëri pash që Mario kishte nxjerr thikën dhe po godiste Marinin në zemër, shkova direkt për të mbrojtur Martinin. Më pas më kapi një burrë që nuk e pash kush ishte, më kapi dhe më ngriti në ajër. Kur u ktheva prap pash që Mario ishte ngritur dhe më drejtoi thikën për në zëmër. Vura dorën përpara.

Thika më preku vetëm pak zemrën. Më pas ai kaloi thikën nga dora e majtë në të djathë dhe donte të më sulmonte në fyt. Unë ula kokën dhe e godita me dorën e vetë në ballë. Pastaj vazhdoi lufta. Ai më qëlloi 6 herë në pjesën e kraharorit, por 4 herë më kapi. Unë pash që thika e tij ishte më e madhe se dora ime dhe u tremba. Shkova dy hapa pas dhe e qëllova në fytyrë. Më rrethuan dy. Nga frika që kisha i qëllova aq fortë sa njërit ia përplasa kokën te hekuri. Marios. Atij tjetrit i kam qëlluar në sy dhe ia futa vrapit,” u shpreh ai.

Sipas Luisit kanë qenë tre persona në ngjarje, por ai nuk ka arritur të identifikojë personin e tretë që sipas tij është burri që e ka ngritur.

Luisi bëri thirrje që të shkojnë e të bëjnë ekspertizën te ai në spital, pasi ai pretendon se është qëlluar nga dy persona me thika të ndryshme.

Biseda gjatë intervistës:

Gazetarja: Ti po thua që kanë qenë tre persona në vendngjarje?

Luis: Po, njëri vetëm më ka ngritur.

Gazetarja: Personin e tretë nuk munde ta identifikosh?

Luis: Jo, nuk e di.

Gazetarja: Luis sa veta ishin që ju sulmuan ditën e ngjarjes?

Luis: Ishin dy persona, Mario dhe një djalë me flokë të gjata.

Gazetarja: Atë djalin tjetër e ke parë ndonjëherë më parë?

Luis: Jo, nuk e kam parë më parë. Di që është bashkëmoshatar i jonë. Unë dua të vinë e të bëjnë ekspertizën mjekoligjore për ta kuptuar të gjithë që kam plagë nga dy thika të ndryshme. Nuk flas dot më shumë. Kam shumë dhimbje.