Autori dyshohet se është polic/ Detaje të reja rreth vrasjes së Eduart Reçit në Tiranë

Policia e Tiranës zbardh vrasjen e Eduart Reçit, i ekzekutuar me një plumb pranë Rrugës së Elbasanit.

Burimet bëjnë me dije se ka dyshime se autori është ose polic, ose ish-polic.

Po sipas gazetarit, vrasja dyshohet të ketë ardhur si pasojë e problemeve me pronësinë. Megjithatë për momentin nuk ka më shumë detaje dhe pritet që policia e Tiranës të dalë me një njoftim zyrtar për ngjarjen.

Biznesmeni Eduard Reçi u vra rreth orës 23:00 të së mërkurës, (13 nëntor 2024), (fillimisht i plagosur rëndë), poshtë pallatit ku jeton, të cilin e ka ndërtuar vet, në rrugën “Gjeneral Nikols” në Tiranë, përballë Fakultetit të Histori-Filologjisë.

52-vjeçari me origjinë nga Dibra mori një tek plumb që i përkshkroi tej për tej në kokë dhe ndërroi jetë në spitalin e Traumës rreth orës 04:00 të mëngjesit të 14 nëntorit. Në fillim u kujtua se ishin fishekzjarre, edhe sipas dëshmisë së të afërmve të viktimës, por një plumb nga distanca, dyshohet me pushke snajper, e shembi përtokë biznesmenin.

Reçi kishte punuar më herët si drejtor në SHISH, teksa krimi u hetua në disa pista.

Grupi hetimor ka sekuestruar kamera sigurie të bizneseve pranë, kryesisht bar kafe, por për shkak të errësirës deri më tani është e vështirë të kapet pamje e autorit ose autorëve.

Por pamjet kanë fiksuar Eduard Recin teksa ecën, dhe bie në tokë pas një të shtëne, zhurma e së cilës dëgjohet edhe në disa kamera sigurie që regjistrojnë me zë.

Në pyetje janë marrë familjarët e tij, të cilët kanë mohuar që të kenë dijeni përplasje apo konflikte të Eduard Reçit me persona të tjerë. Vite më parë, burimet thonë se Reçi ka qenë në krye të një drejtorie të SHISH në vitin 1996, por autoritetet ende nuk janë orientuar drejt vrasjes për shkak të kësaj detyre që ai ka mbajtur. Pas vitit 2000 ai ishte marrë me biznes.

Burime thonë se Reçi me firmën “ELGM” ka ndërtuar edhe disa pallate të tjera në Tiranë.