‘Kemi kapur nxënës të 9-vjeçares me armë zjarri’! Jaupi: Rastet e parandaluara mund të kishin patur fund tragjik!

Zyrtari i Lartë i Policisë së Shtetit, Rebani Jaupi, është shprehur se nga kontrollet që kryejnë rutinë në shkolla, janë kapur nxënës të shkollave 9-vjeçare edhe me armë zjarri. I ftuar në emisionin Kjo Javë në News24 Jaupi tha se janë raste se nëse nuk do të ishin parandaluar, do të kishin patur fund tragjik.

Gjithashtu zyrtari i policisë zbuloi se shkollat më problematike janë gjimnazet dhe ato që kanë shumë nxënës. Ndër të tjera Jaupi tha se pas vrasjes së 14-vjeçarit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka kërkuar të ngrenë në nivel maksimal strukturat kundër krimeve kibernetike.

“Kemi kapur nxënës me armë zjarri, nxënës të 9-vjeçares. Kemi gjetur doreza në çantat e nxënësve, thika. Janë parandaluar rastet dhe nëpërmjet zëdhënësit kemi komunikuar me mediat. Janë raste që janë parandaluar që mund të kishin fund tragjik. Vëmendjen e kemi në gjimnaze dhe shkolla me numër të lartë nxënësish. Gjimnazet janë një alert i policisë që jemi të vëmendshëm dhe kemi bashkëpunim me drejtuesit e shkollave. Drejtori i policisë së shtetit kërkoi të ngremë në nivel maksimal strukturat kundër krimeve kibernetike, për të ndjekur nxënësit që reklamojnë armë të ftohta, armë zjarri, video të dhunshme, në mënyrë që të identifikon rastet dhe të parandalohet përshkallëzimi i dhunës dhe ngjarjeve tragjike”, tha Jaupi.