Në ditët kur flitet për agresivitetin e fëmijëve, dhuna promovohet në TV kombëtar (Video)

Një 14-vjeçar, Martin Cani u vra pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet mesditën e të hënës nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përleshaj dhe për 5 ditë me radhë në studiot televizive, si dhe në politikë ka mbizotëruar debati rreth sigurisë në shkolla, edukumit të të miturve dhe pse ata janë kaq agresiv.

Vetë kryeministri Edi Rama, për të shmangur përgjegjësinë nga vetja, doli në konferencë dhe fajin ia hodhi rrjetit social “TikTok”, duke paralajmëruar se do të tentojë ta mbyllë këtë të fundit.

Gjithsesi, mbyllja e “TikTok-ut” nuk është se do i jepte zgjidhje, pasi faktorët e kësaj situate janë të shumtë, nga përgjegjësia tek autoritetet, tek shoq[ria, prindërit, por dhe atë se çfarë promovojnë mediat tradicionale.

E teksa jemi në ditët kur në studiot televizive flitet për dhunën te fëmijët dhe derdhet lot në studio për vrasjen e një 14-vjeçari, një televizion kombëtar promovon dhunën dhe modelet më të gabuara të shoqërisë në një orar komplet të papërshtatshëm.

Bëhet fjalë për programin “Për’puthen”, i cili në episodin e sotëm në një minutazh prej rreth 50 minutash, jo një, por ka transmetuar plot 3 episode dhune nga të rinj të marrë nga rruga dhe që nuk përfaqësojnë asgjë.

Dy episode flasin për dhunën nga një vajzë ndaj dy djemëve, ku në një rast i derdh pijen alkoolike të birrës në fytyrë, ndërsa në rastin tjetër gjuan me këpucë një tjetër, teksa përdor dhe një fjalor aspak të përshtatshëm për në televizion. Këto episode janë regjistruar në një banesë.

Ndërsa, një episod është regjistruar në studi, ku një vajzë i derdh një pije në kokë një vajze tjetër.

Këto janë modelet që televizioni i servir sot rinisë shqiptare. Programi “Për’puthen për më tepër nuk është as në transmetim direkt, por me regjistrim dhe nëse do të kishte sadopak përgjegjshmëri, mund të zgjidhte që të mos i trasmetonte këto episode dhune, por zgjedh rritjen e klikimeve.

Jo pak herë është akuzuar ky program se për më tepër këto episode dhune janë edhe me skenar nga vetë drejtuesit e programit.

Jo vetëm dhunë, por shpesh herë programi “Për’puthen” ka transmetuar pamje të ngjashme me pornografinë, ku mund t’i ndajë vetëm një fije e hollë, por Autoriteti i Mediave Audiovizive nuk ka reaguar për ta mbyllur.

Për më tepër ndiqni pamjet e mëposhtme se çfarë i servis televizioni fëmijëve të sotëm në një orar të papërshtatshëm.