SHKODËR- Situata në Qarkun Shkodër është gjithnjë e më alarmante për shkak të kushteve të motit të keq që kanë përfshirë këtë qark.
Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta po shkaktojnë dëme të shumta dhe po vështirësojnë qarkullimin e mjeteve dhe qytetarëve. Raportohet se aktualisht prurje masive ujërash vijnë nga mali në hyrje të tunelit të Gjegjanit duke shkaktuar gërryerjen e trasesë së rrugës.
Ndërkohë, policia dhe kontraktori ndodhen në terren për të monitoruar dhe normalizuar situatën në rrugë.
Qarku i Shkodrës është ndër më të prekurit nga moti i keq që ka përfshirë pothuajse të gjithë vendin. Që prej mëngjesit të sotëm, për shkak të reshjeve intensive në shumë zona ka patur edhe mungesë të energjisë elektrike.