Sa vite burg rrezikon? I mituri që akuzohet për vrasjen e Martinit përballet me gjykatën

Djali 14 vjeçar M.P., që akuzohet për vrasjen me thikë të Martin Canit dhe plagosjen e moshatarit tjetër, këtë të premte pritet të dalë para gjykatës ku do t’i vlerësohet masa e sigurisë që aplikoi policia katër ditë më parë.

Nëse gjykata konfirmon masën e sigurisë së izolimit, atëherë ai mund të shkojë në Institutin e të Miturve në Kavajë, në seksionin e paraburgimit derisa të njihet me vendimin përfundimtar.

Djali akuzohet se qëlloi gjashtë herë me thikë 14 vjeçarin Martin Cani duke i marrë jetën dhe katër herë të tjera, moshatarin e të ndjerit, që mbeti i plagosur, aktualisht jashtë rrezikut për jetën, raporton noa.al.

Prokuroria e Tiranës ashpërsoi akuzën me të cilën i mituri u referua nga policia nga “vrasje me dashje” në “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”.

Ekspertët vlerësojnë se M.P., mund të marrë një dënim që në skenarin maksimal shkon në 17 vjet heqje lirie.

Avokati Arbër Hoxha sqaron sesi funksionon Kodi Penal për të miturit që janë autorë të krimeve.

“Kodi Penal sanksionon që mosha për përgjegjësinë penale është 16 vjeç për kundravajtjet penale dhe 14 vjeç për krimet. Është e rëndësishme që ditën që është kryer vepra penale, personi duhet të ketë mbushur 14 vjeç, pra 14 vjeç e një ditë.

Në momentin që është nën 14 vjeç nuk mban përgjegjësi penale, por sipas drejtësisë penale për të miturit, pavarësisht se nuk mban përgjegjësi penale, do të çohet në një Institut të rehabilitimit”, tha avokati Hoxha.

Avokati thotë se: “Në momentin që një i mitur nga mosha 14 deri në 18 vjeç kryen krime, e para përjashtohet nga burgimi i përjetshëm dhe e dyta merr gjysmën e maksimumit të dënimit që është 17 vite burgim”.

Ndërsa avokati tjetër, Saimir Visha, thotë: “Po të ishte një i rritur do të shkonte përtej burgimit të përjetshëm. Sanksioni duhet të jetë i ashpër, jo vetëm për rastin konkret, pasi do ndodhin ngjarje të rënda.

Mund të na ndodhë në masë, është një fenomen që duhet goditur. Është e tmerrshme të të ikë një fëmijë, nuk kam fjalë. Këtu jeta e njeriut është bërë pa vlerë. Kur ikën një fëmijë 14 vjeç më mjet prerës, është tronditëse dhe alarmante”, tha avokati Saimir Vishaj.