“Pse më bllokove rrugën?”/ Studenti u godit 8 herë me thikë, ngjarja para universitetit privat

Detaje të reja janë zbardhur nga sherri i ndodhur mes dy studentëve mesditën e sotme pranë një universiteti privat në Qytet Studenti. Aron Demiraj, 20-vjeç është qëlluar me thikë teksa ndodhej ulur në karrigen e një lokali pranë universitetit.

I riu student i vitit të parë, është goditur 8 herë me thikë nga 19-vjeçari Ajdin Ajvazi, i cili u arrestua pak minuta më pas. Demiraj është transportuar me urgjencë në spitalin e Traumës pasi ka marrë goditje, në brinjë, në qafë dhe shpatull. Ka dyshime se sherri mes të rinjve ka nisur me motivin banal ‘“Përse me bllokove rrugën, përse më sheh shtrembër”.

Njoftimi i policisë Tiranë/Informacion paraprak:

Më datë 21.11.2024, në Qytet Studenti, në rrugën “Sotir Kolea”, gjatë një konflikti dyshohet se shtetasi A. A., 19 vjeç, ka goditur me mjet të mprehtë shtetasin A. D., 20 vjeç, i cili si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.