“Ai flinte mbi tavolinën e punës…”/ Agron Llakaj flet për vështirësit e nisjes së karrierës së Bes Kallakut

Agron Llakaj, një nga emrat më të njohur të humorit në Shqipëri, ishte i ftuar mëngjesin e djeshëm në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, ku ndau një histori të veçantë lidhur me një prej humoristëve më të njohur të ditëve të sotme, Bes Kallakun.

Agron Llakaj, i cili është anëtar i jurisë në spektaklin “Albania’s Got Talent”, ka ndarë me publikun historinë e njohjes dhe mbështetjes së tij për Bes Kallakun, kur ky i fundit ishte vetëm një adoleshent. Sipas Llakajt, Kallaku kishte marrë pjesë në një shfaqje talentesh kur ishte 16-17 vjeç dhe, ashtu si shumë të rinj, përballonte vështirësi të shumta në rrugëtimin e tij të hershëm drejt karrierës.

Llakaj ka kujtuar se Bes Kallaku flinte shpesh në tavolinën e punës, për shkak të distancës që kishte për të udhëtuar nga Fushë Kruja për në Tiranë. Për Llakajn, kjo ishte një periudhë sfiduese për të riun, por gjithashtu i kujtonte periudhën kur ai vetë ishte në fillimet e tij të karrierës.

“Bes Kallaku më kujtonte veten kur isha i ri,” tha Llakaj, duke theksuar se ai e ka mbështetur Kallakun jo vetëm në aspektin profesional, por gjithashtu dhe në planin personal. “I dhashë gjithë mbështetjen time, jo vetëm profesionale, por edhe njerëzore,” shtoi ai, duke theksuar se ishte i kënaqur që sot Bes Kallaku ka arritur të bëhet një emër i njohur në industrinë e humorit dhe më gjerë.

Llakaj ka theksuar se për të është një kënaqësi të shoh zhvillimin dhe suksesin e Kallakut, duke e konsideruar atë si një nga humoristët më të talentuar të brezit të tij. Historitë e tillë të mbështetjes dhe frymëzimit, përveçse e pasurojnë rrëfimin e karrierës së humoristëve, tregojnë edhe vlerën e mbështetjes reciproke që ndihmon zhvillimin e talenteve të rinj dhe të ardhmen e industrisë së humorit.