Vrasja e Klaudio Prendit, AMP nis hetimin për 3 efektivët e Policisë që ishin me atë para atentatit!

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet për tre efektivët e policisë të cilët shoqëronin Klaudio Prendin para atentatit. Sipas burimeve AMP do të marrë në pyetje oficerët e policisë dhe më pas do të dalë me një vendim.

Klaudio Prendi, 28 vjeç u ekzekutua në orët e para të mëngjesit të 19 nëntorit. Ai u vra teksa po hipte mjetin e tij kur po largohej nga një lokal në zonën e “Xhamllikut”. Sipas raportimeve viktima ka qenë i shoqëruar nga miqtë e tij në lokal. Në momentin kur ka dalë nga lokali për të hipur në makinën e tij ai ka qenë i vetëm dhe autorët e kanë shfrytëzuar rastin për të qëlluar drejt tij. Ata i janë afruar paralel me makinën e tyre tip “Audi” dhe kanë hapur zjarr ndaj tij.

Më tej bëhet me dije se drejt tij është qëlluar me 5 plumba ndërsa arma ka qenë me silenciator. Policia dyshon se në atentat morën pjesë tre persona, një prej tyre ka pasur rolin e shoferit, ndërsa dy të tjerët luanin rolin e qitësit. Një orë pas vrasjes në zonën e Farkës është gjetur një mjeti “Audi A4”. Gjithashtu mësohet se policia ka shoqëruar disa persona që janë marrë në pyetje në lidhje më këtë ngjarje.